
Polemika kanë lindur pas një artikulli të Wall Street Journal, sipas të cilit Presidenti Donald Trump , në një komunikim telefonik prej disa orësh me udhëheqësit evropianë, pretendoi se Vladimir Putin “nuk është gati t’i japë fund luftës në Ukrainë”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, e mohoi informacionin, duke këmbëngulur se Trump nuk e bëri një deklaratë të tillë.
“Presidenti tha se beson që Putini po e fiton luftën, por ai KURRË nuk deklaroi se ‘nuk dëshiron ta ndalojë’”, tha ajo në një deklaratë me shkrim. Më tej shtoi se Trump theksoi vazhdimisht gjatë bisedës se Putin dëshiron paqe.
Dëshmi kontradiktore nga udhëheqësit evropianë
Sipas raportit, zyrtarët evropianë që morën pjesë në ‘konferencën’ telefonike raportuan se Trump e filloi diskutimin duke thënë: “Mendoj se Vladimir nuk dëshiron paqe”. Nëse është e vërtetë, kjo deklaratë bie ndesh me deklaratat publike të herëpashershme të Trump, në të cilat ai e paraqiti Putinin si të gatshëm për të gjetur një zgjidhje.
Pavarësisht shenjave të supozuara të një ndryshimi qëndrimi, Trump ka shmangur angazhimin për një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë, duke hedhur poshtë thirrjet për rritje të sanksioneve ose përforcim ushtarak të Ukrainës.
Presioni dhe reagimet diplomatike
Në videokonferencën e së hënës morën pjesë liderë si Emmanuel Macron, Ursula von der Leyen, Giorgia Meloni, Friedrich Merz dhe Volodymyr Zelensky. Ishte kulmi i një përpjekjeje evropiane për ta shtyrë Trumpin drejt një qëndrimi më të ashpër ndaj Moskës.
Edhe pse miratimi i sanksioneve të reja nuk u arrit, sipas medias amerikane, procesi thuhet se krijoi një mirëkuptim të përbashkët: Putini nuk tregon asnjë qëllim për t’i dhënë fund luftës, të paktën në këtë fazë. Zyrtarët evropianë thanë gjithashtu se administrata Trump nuk do të bllokojë dërgesën e armëve në Ukrainë për sa kohë që financimi vjen nga fondet evropiane.
Sfondi i bisedimeve
Megjithatë, sipas WSJ, në një komunikim të mëparshëm me udhëheqësit evropianë të dielën, Trump kishte lënë të kuptohej se mundësia e sanksioneve do të shqyrtohej nëse Putini nuk pranonte një armëpushim. Por të nesërmen, ai ndryshoi qëndrim, duke thënë se do të vazhdonte me bisedime të nivelit më të ulët midis Moskës dhe Kievit në Vatikan.
Top Channel