
Zyrtarë nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe vende të tjera evropiane kanë dënuar sulmin me armë jashtë Muzeut Hebraik në Uashington DC që i mori jetën dy punonjësve të ambasadës Izraelite.
Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian tha se ishte “e tronditur” nga të shtënat ndaj dy punonjësve të Ambasadës Izraelite në Uashington DC, dhe u shprehu ngushëllimet e saj familjeve të viktimave dhe popullit të Izraelit.
“Nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend në shoqëritë tona për urrejtje, ekstremizëm ose antisemitizëm”, tha përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas në një postim në rrjetet sociale.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i dënoi të shtënat me “termat më të forta të mundshme” dhe tha se “në këtë fazë duhet të supozojmë një motiv antisemitist”.
“Ne e dënojmë këtë krim të tmerrshëm antisemitist. Mendimet tona janë me familjet dhe kolegët e viktimave në këtë kohë të tmerrshme”, tha Ministri i Jashtëm Britanik, David Lammy.
Kancelari austriak, Christian Stocker tha se ishte thellësisht i trishtuar nga lajmi dhe shtoi se Austria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të siguruar sigurinë e Izraelit dhe për të mbrojtur komunitetin hebre.
Kryeministri irlandez, Michael Martin gjithashtu e dënoi sulmin, duke thënë: “Nuk mund të ketë absolutisht asnjë vend për dhunë apo urrejtje”.
Top Channel