
Më 11 maj shqiptarët vendosën për një shumicë parlamentare me 83 deputetë për Partinë Socialiste dhe i besuan vetëm 50 mandate aleancës së PD-së.
Të dhënat tashmë duhet të analizohen dhe krahasimi sipas Eduard Zaloshnjës duhet bërë mes fletëve të votimit brenda vendit me zgjedhjet e 2021, nga ku rezultati është zhgënjyes për opozitën.
“Koalicioni i udhëhequr nga Berisha dhe Meta sivjet mori 9 mandate më pak sesa Basha vetëm kur udhëhoqi atë koalicionin PD-AN atëherë. 250 mijë vota më pak, një gropë elektorale që ka Aleanca për Shqipërinë Madhështore në krahasim me votat e partive përbërëse të këtij koalicioni para katër vitesh”, tha analisti Eduard Zaloshnja.
Fenomeni më ndikues në rezultatin opozitar është dhe rënia e partisë së Ilir Metës, nga subjekti zgjedhor që pati në dorë sjelljen e socialistëve në pushtet në 2013, u shndërrua në forcën politike që nuk prodhoi dot as mandatin e kryetarit të saj në listën e hapur të PD në Tiranë.
“Po të krahasojmë 107 mijë vota të marra atëherë me 28 mijë votat në gjithë vendin këtë vit. Pra këta kandidatë kanë marr kësaj radhe 80 mijë vota më pak se sa mori LSI para katër vitesh. Kjo ka kontribuar me 1/3 e asaj gropës së madhe elektorale të gjithë aleancës”, tha Zaloshnja.
Për Zaloshnjën, nga 12 qarqe në Shqipëri, Tirana jep përgjigjet e shumë pikëpyetjeve për demokratët me aleancën e Shqipërisë Madhështore, prej të cilave duhet të ketë reflektime.
“Treguesi më domethënës i këtyre zgjedhjeve është që 150 mijë zgjedhës që banojnë në Tiranë nuk shkuan të votojnë asnjë parti. Kjo rënie pjesëmarrje është pothuajse e gjitha te aleanca e madhe opozitare. Kjo tregon që njerëzit s’kanë pasur shpresë ta votojnë atë dhe ka krijuar këtë depresion të madh votash. Pra, nëse shohim Tiranën ku popullsia jo vetëm që nuk largohet por shtohet çdo ditë. Jo vetëm që nuk u shtuan votat për opozitën, por pati rënien më të madhe nga të gjithë kampet, me pothuajse 60 mijë vota!”, tha analisti Eduard Zaloshnja.
Ngjitja e PS nga 74 në 83 mandate, me rreth 34 mijë vota më pak se në 2021 shpjegon analisti Zaloshnja është efekt i sistemit elektoral që penalizon një opozitë të fragmentarizuar, por i ndërtuar me bekimin e Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Top Channel