“Le t’i shohim gjërat në sy siç janë’, rindërtimi shkakton sërish debat në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës

21/05/2025 17:05

Në një mbledhje jashtë radhës, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një fond prej 3 milion lekësh për lidhjen me energjinë elektrike dhe rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve të lagjes së re në Spitallë, ndërtuar për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ky vendim u miratua me 27 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim.

Në të njëjtën mbledhje ngjalli debat projekt-vendimi i bashkisë, hartuar me kërkesë nga Zyra e Posaçme e Rindërtimit, për heqjen nga lista e përfituesve të disa prej familjeve të përfshira më parë në listat e miratuara nga KB si përfitues nga programi i Rindërtimit. Pas verifikimeve rezulton se ato nuk i plotësojnë kriteret ligjore për të përfituar nga ky program.

Në këtë kuadër, Bashkia kërkon ndryshimin e katër vendimeve të mëparshme të Këshillit Bashkiak, që i përkasin vitit 2021, për të hequr nga lista e përfituesve rreth 25 familje.

Ndryshimet prekin pallatet e dëmtuara në rrugët “Aleks Komneni”, “Ramadan Veliu”, “Bajram Tusha” dhe “26 Nëntori”. Bashkia argumenton se përjashtimet janë bërë pas rivlerësimit të rasteve për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për përfitim, po këshilltarët e opozitës e kanë quajtur të papranueshme këtë.

Sipas nënkryetarit të bashkisë Gentian Kallmi, pas verifikimeve të bëra nga bashkia, në bashkëpunim me ASHK-në dhe gjendjen civile, dy arsyet kryesore të mospërfitimit janë fakti se kanë banesë tjetër, pra dypronësia në disa raste dhe vendbanimi i disa familjeve jo zyrtarisht në qytetin e Durrësit.

Këshilltari bashkiak i PD, Ardian Muka tha se “në momentin që i shpronësojmë të drejtën e apartamentit, nuk i shpronësojmë dot të drejtën e truallit. Trualli mbetet aty edhe kur pallati shembet. Ai person që ka pasur apartamentin sipër gëzon 1/50 pjesë të truallit. Atij njeriu i lind e drejta nesër ta çojë në gjykatë dhe do ta fitojë atë apartament. Natyrisht, në një regjim diktatorialo- komunist gjithçka ndodh.”

Ndërkaq edhe këshilltari Jonuz Myshketa u shpreh: “Ka një VKM, por është e padrejtë. Le t’i shohim gjërat në sy siç janë. Pse duhet të fshihemi pas VKM-ve, kur ato familje që kanë investuar jetën e tyre, mundin e tyre, djersën e tyre me një të rënë të lapsit zerohen?!”

Gjithsesi dhe kjo pikë u miratua me 28 vota pro të këshilltarëve të majtë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta