Inside Story/ Prokurori i SPAK: Askush nuk dënohet vetëm me dëshmitë e ‘pentitove’, ne sigurojmë prova

21/05/2025 21:33

Pentito i radhës që zbardhi ngjarjet e errëta të vitit 1997 ishte Bujar Buzani.

Ai u bë bashkëpunëtor dhe vendosi të rrëfejë para drejtësisë disa nga krimet më të errëta që kreu banda e Cërrikut. Ngjarja më e bujshme ishte masakra e Cërrikut, ku humbën jetën 6 gardistë dhe u plagosën 16 persona të tjerë.

Në vitin 2008, me kërkesë të Prokurorisë, zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve e mori Buzanin nën mbrojtje. Dëshmia e tij ishte çelësi për të kuptuar dhe provuar rolin e autorëve në këtë ngjarje. Buzani tregoi në detaje se si ishte planifikuar prita ndaj gardistëve. Ai zbuloi gjithashtu edhe dhunimin e trupave të pajetë, nga anëtarët e bandës. Sot e kësaj dite Buzani ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë.

“Përpara se të ndodhte tragjedia, erdhën tek postblloku, Met Bozi, Llazi, dhe Land Xhepexhiu. Met Bozi i është drejtuar Arjanit, duke i thënë: “Arjan kanë ardhur forcat speciale nga Tirana dhe po bëjnë kontroll në lagjen SMT, në dalje të Cërrikut dhe kanë rrahur të zotin e shtëpisë dhe kanë dashur të përdhunojnë të zonjën e shtëpisë hajde të mblidhemi”

“Marrëveshje që ka shteti shqiptar me vende të tjera, ku vende të tjera mund të sjellin dhe në Shqipëri dëshmitarët e tyre të drejtësisë dhe ne në reciprocitet çojmë dëshmitarët tanë të drejtësisë në ato vende për mos u ekspozuar apo për të qenë sa më larg rrezikut për t’ju cenuar jetesa apo goditja fizike e këtyre bashkëpunëtoreve” u shpreh Dritan Jahaj, avokat.

“Në republikën e Shqipërisë është një fenomen i cili ka ardhur që nga viti 1997 është një fenomen që po zhvillohet dhe vlerësohet nga personat që bëjnë pjesë në veprat penale të rënda dhe së fundmi kemi një shtim të personave që bashkëpunojnë me drejtësinë, për arsye që ata i vlerësojnë të arsyeshme bashkëpunimin e tyre” u shpreh Artan Simoni, avokat i Nuredin Dumanit.

Krerët e grupeve kriminale shqiptare kanë vepruar me urdhra edhe nga qelia e burgut. Një fenomen i tillë doli në dritë pas arrestimit të një vrasësi me pagesë të quajtur Kristi Pine. Deklarimet e tij, zbardhën dhe goditën një grup vrasësish me pagesë, i drejtuar nga burgu prej Admir Tafilit, një prej të fortëve të Shkodrës.

Pine u kthye në një ndër dëshmitarët kyç që ndihmoi drejtësinë të godiste këtë grup. Ai rrëfeu fillimisht se ishte vetë ekzekutori i Ibrahim Manit, i eliminuar në oborrin e banesës së tij më 25 qershor 2014. Pine deklaroi se porosia kishte ardhur nga Admir Tafili. Ngjarja lidhej me një konflikt që viktima kishte me një tjetër familje.

“Dëshmitari i drejtësisë mund të dëshmoi për fakte dhe rrethana nga më të ndryshmet, dhe në kohë nga më të ndryshmet. Është detyrim i prokurorit, detyrim i hetuesve të verifikojnë çdo rrethanë apo fakt. Nuk mundet një njeri të dënohet vetëm me thëniet e bashkëpunëtorit të drejtësisë” u shpreh Vladimir Mara, Prokuror i SPAK.

“Që një person të jetë i penduar patjetër duhet të bashkëpunojë pa rezerva, nuk duhet të gënjëjë organin e prokurorisë, nuk duhet të manipulojë në thëniet e tij provat e ndryshme apo dëshmitë e ndryshme dhe mbi të gjitha duhet të jetë autori i disa veprave penale që ai të ketë si të thuash atë metodën e presionit që duhet ti bëjë organi i prokurorisë, sepse nuk mund të bësh të penduar një person që nuk mund të ketë prova kundër tij” u shpreh Eugen Beci, ish prokuror.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta