Zjarret pranë shtëpisë së Starmer, policia britanike vë në pranga dhe një rumun

20/05/2025 10:22

Një burrë i dytë është akuzuar për përfshirje në një seri zjarrvëniesh të dyshuara që kanë pasur si shënjestër prona dhe një automjet të lidhur me kryeministrin britanik Sir Keir Starmer.

Policia Metropolitane bëri të ditur se Stanislav Carpiuc, 26 vjeç dhe shtetas rumun, është akuzuar për komplot për zjarrvënie me qëllim rrezikimin e jetës.

Carpiuc u arrestua të shtunën në Aeroportin Luton të Londrës nga oficerët e antiterrorizmit, dhe pritet të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster këtë të martë.

Komplot i organizuar?

Carpiuc dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me Roman Lavrynovych, 21 vjeç nga Ukraina, i cili tashmë është akuzuar për tre raste të zjarrvënies me qëllim rrezikimi të jetës. Lavrynovych është në paraburgim dhe pritet të paraqitet në Old Bailey më 6 qershor. Ai ka mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje nga policia.

Sipas autoriteteve, një burrë i tretë, 34-vjeçar, u arrestua gjithashtu të hënën në zonën e Chelseat, me të njëjtat akuza për komplot dhe zjarrvënie. Ai mbetet në paraburgim.

Tre incidente të njëpasnjëshme

Seria e incidenteve ndodhi në javën e dytë të majit, në veri të Londrës:

Më 12 maj, një zjarr shpërtheu në një pronë në Kentish Town, ku më parë kishte jetuar Sir Keir me familjen e tij, përpara se të zhvendosej në 10 Downing Street. Fatmirësisht askush nuk u lëndua.

Më 8 maj, një automjet i lidhur me Starmer u përfshi nga flakët në të njëjtën rrugë.

Më 11 maj, një zjarr i vogël u raportua në derën e përparme të një prone të ndarë në apartamente në Islington, gjithashtu me lidhje me kryeministrin.

Reagime të forta

Pas sulmeve, sekretari i drejtësisë në hije, Robert Jenrick, u shpreh se është thelbësore që politikanët dhe familjet e tyre të ndihen të mbrojtur.

“Kemi mosmarrëveshje në politikë, por kushdo që hyn në jetën publike duhet të ndjejë siguri dhe mbrojtje, dhe që ne të ruajmë një kulturë debati të civilizuar,” u shpreh ai për Sky News.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa policia nuk përjashton mundësinë që incidentet të kenë lidhje me një komplot të organizuar ndaj figurave të larta politike në Britani.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta