
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, vë në dyshim numëruesit e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Nga qelia e burgut, ku ndodhet prej muajsh, Meta kërkon të bëhet një analizë e rezultatit të zgjedhjeve.
“Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit”, shkruan Meta, i cili falënderon të gjithë ata që votuan Partinë e Lirisë.
Në zgjedhjet e 11 majit, Meta kandidoi në listën e hapur të koalicionit opozitar, PD-ASHM, ku nuk arriti dot të siguronte mandatin e deputetit.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore.”, shprehet Meta.
Top Channel