U ekzekutua mbrëmë në Durrës/ Zbardhet e shkuara e Ermir Dedjas, pistat ku po heton policia për vrasjen

20/05/2025 14:32

Ermir Dedja, 29-vjeçari nga “Katër Rrugët e Shijakut, gjeti vdekjen pas një atentati me armë zjarri në lagjen e Durrësit, ku kalonte me shoqëri ditë-netët e tij.

Ai u dërgua në spitalin e Durrësit ku iu konstatuan dy plagë, në gjoks dhe në kurriz. Plumbi që mori në gjoks rezultoi fatal, pasi përshkoi aortën, duke i shkaktuar humbjen e jetës. Dedja ishte një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë në Durrës, me një të kaluar të ngarkuar penale.

Në vitin 2023 u dënua me 7 muaj burg për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, ndërsa më herët, në 2021, për largim nga vendi i aksidentit. Në vitin 2017 u dënua me 8 muaj burg për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje thike.

Në këtë çështje, ai qe arrestuar dhe për një tjetër vepër penale, por Dedja u shpall i pafajshëm për akuzën e përkrahjes së autorit të një plagosjeje në Shijak.

Emri i tij përmendet për herë të parë në vitin 2015, kur, në moshën 19-vjeçare, u ndalua për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, marijuanë, së bashku me dy persona nga Hasi, të cilët tentuan ta trafikonin drogën, e blerë tek Dedja, drejt Kosovës.

Hetimet për vrasjen e 29-vjeçarit vijojnë, ndërsa pista kryesore që po ndjek policia lidhet me larjen e hesapeve mes personave me të kaluar kriminale, ndërsa nuk përjashtohen dhe pista të tjera.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta