
“Nga bohemizmi te përjetësia”, është ekspozita që sjell në vendin tonë si rrallë herë vepra të njohura nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco e Avant-Garde, me krijimet të artistëve të mëdhenj të artit botëror.
Koleksioni i rrallë, që vjen në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe ambasadën e Izraelit pasqyron ndërgjegjen kolektive të epokës, stilin e jetës dhe momentin historik, në Evropën Perëndimore dhe Lindore e më gjerë.
“Janë mjeshtrat më të mëdhenj të modernizimit përgjatë viteve 1900-1970, aty ku ajka e artit botëror dhe lëvizjet më të mëdha të artit filluan në kryeqytetin e artit siç ishte Parisi”, shprehet Jetona Koçobelli, Drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Agjencisë për Dialog dhe Komunikim.
Në ekspozitë qëndron madhështore një vepër e njohur e Amedeo Modiglianit, një nga artistët impresionistë më të njohur në Francë, piktor i emocioneve, i thjesht dhe elegant.
“Modigliani paraqitet me këtë portret Annie Bjarne, një vajzë të re suedeze që vinte në Paris si studente. Ai e pa në Cafe de la Rotonde d, ku takoheshin artistët dhe i kërkoi të ishte modele për pikturën e tij. Në pikturë ka detaje që e dallojnë Modiglianin si volumi i trupit, qafa e gjatë, forma e fytyrës inspirohej nga maskat afrikane si dhe buzët e hunda e vogël”, shprehet Danileja Ucovic, kuratorja e ekspozitës.
Skulpturat zënë gjithashtu një vend të veçantë në koleksion, duke filluar me bronzin e bukur Vallëzuesja e Vogël Katërmbëdhjetëvjeçare, e veshur me tutu prej pëlhure, nga Edgar Degas.
“Në këtë skulpturë është një vajzë belge që debutoi në Operas pariziene. Dega u impresionua aq shumë nga paraqitja e saj sa bëri 100 matje të trupit të saj për të bërë një krijim kaq perfekt”, shton më tej Ucovic.
“Nga bohemizmi te përjetësia” do të qëndrojë e hapur në COD në Kryeministri për dy javë, si një ftesë për t’u njohur me disa nga artistët më të famshëm të artit pamor.
Top Channel