
Lituania ka ngritur një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë kundër Bjellorusisë, duke e akuzuar atë për orkestrimin e një krize migracioni që ka rrezikuar jetë dhe ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Rasti, siç raporton Politico, përqendrohet në shkeljet e dyshuara nga Bjellorusia të Protokollit të Kombeve të Bashkuara kundër Kontrabandës së Migrantëve nga Toka, Deti dhe Ajri, tha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në një deklaratë të hënën.
Ndër të tjera Lituania akuzon Bjelloriusinë për shkelje të detyrimeve të saj ndërkombëtare duke lejuar trafikimin e paligjshëm të migrantëve, duke mos siguruar kufijtë e saj, duke neglizhuar bashkëpunimin me autoritetet e zbatimit të ligjit dhe duke injoruar të drejtat e migrantëve.
Këto veprime, siç pretendon Lituania, kanë dëmtuar seriozisht sovranitetin, sigurinë dhe rendin publik të saj, ndërsa i kanë ekspozuar individët e cenueshëm ndaj dëmeve të konsiderueshme.
“Regjimi bjellorus duhet të mbahet ligjërisht përgjegjës për orkestrimin e valës së migracionit të paligjshëm dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut ” që pasoi, tha Ministri i Drejtësisë lituanez Rinādas Mokus.
Lidhur me apelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ministri tha se kjo u bë “për të dërguar një mesazh të qartë: asnjë shtet nuk mund t’i përdorë njerëzit e cenueshëm si shah politik pa u përballur me pasojat sipas ligjit ndërkombëtar”.
Tensionet midis Lituanisë dhe Bjellorusisë janë përshkallëzuar që nga viti 2021 kur mijëra njerëz – kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika – kaluan nga Bjellorusia në Lituani, Poloni dhe Letoni. Vitin e kaluar, në fakt, numri i njerëzve që kaluan nga Bjellorusia në BE u rrit me 66% krahasuar me vitin 2023.
Top Channel