
Ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet në nivelin e 3.6% deri në vitin 2026. Është ky parashikimi i Komisionit Evropian në raportin e pranverës për Shqipërinë, i cili bazohet te fenomeni i emigracionit, niveli i papunësisë dhe ecuria në tregun e pagave.
“Në 2025-2026, rritja e PBB-së parashikohet të jetë e moderuar në krahasim me vitet e mëparshme, por mbetet e qëndrueshme, përkatësisht me 3.6% dhe 3.5%. Rritja e konsumit publik parashikohet të ngadalësohet pasi ndikimi i reformës së pagave publike pritet të zbehet, ndërsa konsumi privat do të mbetet i fortë. Rritja e investimeve mbështetet nga kushte të favorshme financimi dhe zbatimi i Axhendës së Reformës në kuadër të Lehtësimit për Reformën dhe Rritjen e BE-së”, shprehet Komisioni Europian.
Në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të vitit, Banka e Shqipërisë parashikon një ecuri pozitive të ekonomisë, të mbështetur në inflacionin e ulët, përmirësimin e treguesve fiskalë dhe rritjen e investimeve.
Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikës Monetare thotë: “Informacioni indirekt që kemi për 2025 sugjeron që ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet dhe evidentohet te treguesit monetarë, zgjerimi i kreditimit dhe fiskal, si edhe të ardhurat publike. Edhe për 2-3 vitet e ardhshme, sugjerohet se ekonomia do të rritet, si punësimi edhe pagat, dhe inflacioni do të mbetet pranë objektivit. Qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet korrekt.”
Ndryshime pritet të ndodhin edhe në tregun e çmimeve, ndërsa kursi i këmbimit do të jetë i stabilizuar.
Erald Themeli shton: “Ky zhvillim i ekuilibruar midis kërkesës dhe ofertës do të mundësojë që inflacioni të kthehet në objektivin 3% dhe të qëndrojë në atë nivel në afatmesme. Presim një ecuri më të ekuilibruar të kursit të këmbimit krahasuar me 2-3 vitet e fundit dhe efekti frenues në inflacion s’do të jetë më kaq i fortë në të ardhmen.”
Por pasiguritë globale evidentohen edhe nga institucionet kombëtare, por edhe ndërkombëtare, të cilat i cilësojnë si një rrezik për ekonominë shqiptare.
Top Channel