
Një alarm për eksploziv ka ngritur në këmbë policinë e Durrësit në orët e vona të së martës. Sipas burimeve, kalimtarë të rastit kanë konstatuar një objekt të dyshimtë në rrugë, në zonën e njohur si “Veliera”, pranë shëtitores bregdetare.
Menjëherë pas sinjalizimit, uniformat blu kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën duke caktuar dhe perimetrin e sigurisë, ndërsa në terren kanë mbërritur edhe forcat xheniere për të kryer kontrollin e specializuar përmes shpërthimit të kontrolluar.
Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për një sasi lënde plasëse, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi natyrën e objektit të dyshimtë. Ekspertët po analizojnë situatën dhe pritet të marrin vendimin për hapat e mëtejshëm.
Policia i bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin në këtë segment deri në normalizimin e plotë të situatës. Hetimet janë në vijim për të sqaruar rrethanat dhe origjinën e lëndës së dyshuar.
Top Channel