Banorët protestojnë ndaj turistëve në Spanjë, Madridi “i shpall luftë” Airbnb duke bllokuar mbi 65 mijë licenca për banesa turistike

20/05/2025 14:55

Madridi i ka urdhëruar Airbnb të bllokojë më shumë se 65,000 lista në platformën e saj për shkelje të rregulloreve, zbuloi Ministria spanjolle e Mbrojtjes së Konsumatorit.

Shumë nga 65,935 listat e Airbnb që urdhëroi heqjen nuk përfshinin numrin e licencës së tyre ose nuk specifikonin nëse pronari ishte një individ apo një kompani.

Masa e re e goditjes u njoftua pas një proteste të madhe kundër turizmit të tepërt në Ishujt Kanarie gjatë fundjavës. Mijëra njerëz dolën përsëri në rrugë, duke mbajtur pankarta që shkruanin: “Ishujt Kanarie nuk janë në shitje”, teksa disa pushues nxituan të strehoheshin në hotelet e tyre.

Turma brohoriti slogane të tilla si “Ndalo turizmin e tepërt… kjo është shtëpia jonë” dhe “Mjerimi ynë është parajsa juaj”.

Ministri spanjoll i Konsumatorit, Pablo Bustinduy tha se qëllimi i tij është t’i japë fund “mungesës së kontrollit” dhe “paligjshmërisë” së përgjithshme në industrinë e qirave të pushimeve, “të favorizojë aksesin në strehim dhe të mbrojë të drejtat e konsumatorëve”, sipas Reuters.

Airbnb kundërsulmoi, duke thënë se synon të apelojë vendimin dhe se ministria nuk ishte e autorizuar të vendoste për qiratë afatshkurtra dhe përdori “një metodologji pa dallim”.

Vendi iberik po përballet me një krizë të paprecedentë strehimi që e ka detyruar qeverinë të ndërmarrë veprime. Dhjetëra mijëra spanjollë po protestojnë kundër rritjes së kostos së strehimit dhe qirasë, për të cilën ata fajësojnë qiratë afatshkurtra që janë përhapur në qytete si Madridi dhe Barcelona dhe shumë destinacione të tjera të njohura turistike.

Qyteti i Barcelonës vendosi vitin e kaluar të merrte situatën në duart e veta dhe të përpiqej të gjente një zgjidhje, duke vendosur të revokonte 10,000 leje për shfrytëzimin turistik të apartamenteve, me qëllim vendosjen e tyre në treg për qira afatgjatë.

Kryetari i bashkisë, Jaume Colboni, pranoi se masa ishte shumë drastike, por e nevojshme, duke pasur parasysh emergjencën e situatës. Në kryeqytetin e Katalonjës, kostoja e qirasë është rritur me 68% në 10 vitet e fundit dhe kostoja e shitjes me pothuajse 40%.

Top Channel