
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka hedhur poshtë akuzat se ka “shitur” interesat e sektorit të peshkimit në kuadër të një marrëveshjeje të re me Bashkimin Europian.
Gjatë një konference për shtyp, ku po i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, Starmer u përball me një pyetje nga BBC-ja në lidhje me ndikimin e marrëveshjes në industrinë e peshkimit.
Në përgjigjen e tij, ai tha se marrëveshja është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: faturat, punësimi dhe kufijtë. Ai theksoi se ndryshimet në marrëveshjen për standardet sanitare dhe fitosanitare (SPS) do të heqin shumë burokraci të panevojshme dhe do të lehtësojnë eksportin.
“Më shumë se 70% e prodhimeve të detit të Britanisë shkojnë në BE. Kjo marrëveshje do të ndihmojë eksportuesit tanë,” tha Starmer.
Ai shtoi se marrëveshja shumëvjeçare ofron qëndrueshmëri, duke shmangur negociatat vjetore që do të krijonin pasiguri për sektorin.
Ndër të tjera, përmendi edhe faktin që tani molusqet dhe produktet e tjera të detit mund të eksportohen sërish drejt tregut europian.
“Marrëveshja është e mirë për industrinë e peshkimit,” përfundoi Starmer.
Top Channel