Paralajmërimi i OBSH: Situata në Gaza e rëndë, dy milionë njerëz në rrezik urie

19/05/2025 12:02

Rripi i Gazës është në një gjendje krize humanitare, tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që paralajmëroi për rrezikun në rritje të urisë, ku siç tha ai, “dy milionë njerëz po vdesin nga uria”.

“Rreziku i urisë në Gaza po rritet me ndalimin e qëllimshëm të ndihmës humanitare, përfshirë ushqimin, në kontekstin e bllokadës së vazhdueshme”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në fillim të asamblesë vjetore të shteteve anëtare të organizatës në Gjenevë.

“Dy milionë njerëz po vdesin urie”, ndërsa “tonela me ushqim janë bllokuar në kufi, vetëm pak minuta larg”, tha ai.

Pas presionit nga jashtë për të bllokuar ndihmën humanitare, Izraeli njoftoi dje se do të lejonte rifillimin e saj të kufizuar, së bashku me fillimin e “operacioneve tokësore në shkallë të gjerë” në Gaza.

Vendimi për të lejuar ndihmën në enklavën palestineze, më shumë se dy muaj pasi Izraeli vendosi bllokadën ndaj Gazës më 2 mars, është “i vështirë, por i nevojshëm” sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

“Përshkallëzimi i armiqësive, urdhrat e evakuimit, tkurrja e hapësirës humanitare dhe përjashtimi i ndihmës po çojnë në një fluks viktimash në një sistem shëndetësor që është tashmë i tendosur në kufijtë e tij”, tha sot Tedros.

“Njerëzit po vdesin nga sëmundje të parandalueshme ndërsa ilaçet presin në kufi, dhe sulmet ndaj spitaleve i privojnë njerëzit nga kujdesi dhe i dekurajojnë ata që ta kërkojnë atë”, shtoi ai.

Mijëra pacientë ende duhet të evakuohen nga Gaza për arsye mjekësore, sipas Tedros, i cili po u kërkon shteteve anëtare të pranojnë pacientë shtesë dhe Izraelit të lejojë këto evakuime dhe të lejojë hyrjen e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza.

Kombet e Bashkuara, si dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës që veprojnë në Rripin e Gazës, janë ankuar për mungesa prej javësh.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta