
Disa prej kandidatëve të zgjedhjeve të 11 majit i janë drejtuar me një kërkesë të njëjtë KQZ-së, pasi dyshojnë për manipulime të votave brenda listave të partive.
Ata janë Blerina Gjylameti, Ilir Alimehmeti, Xhemal Qefalia, Shkëlqim Shehu dhe Frrok Gjin, Aulon Kalaja, Ilirjana Kucana, Adnan Shullani dhe Altin Goxhaj.
Gjithashtu ka bërë kërkesë edhe Partia Mundësia dhe Djathtas 1912.
“Na vini dispozicion pamjet filmike të numërimit në qarkun Tiranë”, shprehen në kërkesën drejtuar KQZ.
Edhe Etilda Gjonaj ka bërë kërkesë për pamje, por më pas burime për Top Channel bëjnë me dije se është tërhequr nga kërkesa.
“Unë kërkuesja, në cilësinë e kandidates për deputete në zonën zgjedhore Qarku Tiranë për zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025, ju drejtohem me këtë kërkesë për të më vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve në të gjithë qendrat e numërimit të Qarkut Tiranë.
Pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi. Siguroj se i gjithë informacioni i vënë në dispozicion nga ana juaj do trajtohet me përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Duke ju falenderuar paraprakisht, në pritje të përgjigjes suaj”, shkruhet në kërkesën e Gjylametit.
Top Channel