
Vijon ende numërimi i votave preferenciale për qarkun e Tiranës, teksa deri tani janë numëruar 27697 zarfe me votën e diasporës, nga 43157 në total.
Gara brenda PS mbetet e fortë mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit, teksa kjo e fundit deri tani ka mbetur jashtë Parlamentit të ri, pasi kolegia e saj ka një avantazh prej 69 votash.
Konkretisht Xhaçka ka grumbulluar deri në këto momente 6039 vota, duke siguruar mandatin, ndërsa Gjylameti ka marrë 5970.
Jashtë Kuvendit kanë mbetur edhe figura të njohura të PS, si Pandeli Majko, i cili deri në këto momente rezulton me 5878 vota, i ndjekur pas nga Etilda Gjonaj me 5138 vota.
Edhe Plarent Ndreca e ka humbur mandatin e deputetit, pasi ka siguruara deri tani 4745 vota. Më poshtë në renditje rezultojnë dhe Ermonela Felaj me 4389 vota, ndjekur menjëherë më pas nga Mimi Kodheli me 4121 vota.
Nga ana tjetër në Partinë Demokratike, panorama e garës mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetin duket më e qartë.
Tabaku ka siguruar një kapërcim të ndjeshëm votash në krahasim me Alimehmetin, duke grumbulluar deri tani 20058 vota, ndërsa mjeku i njohur ka mbledhur deri tani 17736 vota.
Pa mandat deputeti në Kuvendin e ri nga radhët e koalicionit të opozitës PD-ASHM, kanë mbetur presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, që ka grumbulluar 7868 vota. Nga PL, si pjesë e listës së mbyllur futen në Kuvend Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.
Rezultat edhe më të dobët në raport votash, ka arritur Dhurata Çupi, me 2762 vota, ndërsa kreu i PDIU Shpëtim Idrizi me vetëm 1961 vota deri tani. Nga Partia Drejtësi Unitet dhe Integrim, si pjesë e listës së mbyllur në Kuvend futet Mesila Doda.
Top Channel