
Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Kanadasë paralajmëruan sot se vendet e tyre “nuk do të rrinë duarkryq” përballë “veprimeve skandaloze” të qeverisë së Benjamin Netanyahut dhe do të ndërmarrin veprime nëse Izraeli nuk e ndal operacionin e tij të ri ushtarak në Rripin e Gazës dhe nuk heq kufizimet për hyrjen e ndihmës humanitare.
“Refuzimi i qeverisë izraelite për të ofruar ndihmë themelore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm dhe rrezikon të shkelë të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”, thanë në një deklaratë të përbashkët Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Kryeministri kanadez Mark Carney.
Deklarata u publikua nga qeveria britanike.
“Ne kundërshtojmë çdo përpjekje për të zgjeruar vendbanimet në Bregun Perëndimor. Nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime të mëtejshme, duke përfshirë sanksione të synuara”, shtuan ata, duke vënë në dukje se këto vendbanime janë të paligjshme dhe dëmtojnë qëndrueshmërinë e një shteti palestinez dhe sigurinë e izraelitëve dhe palestinezëve.
Të tre udhëheqësit deklaruan gjithashtu “vendosmërinë e tyre për të njohur një shtet palestinez” brenda kornizës së “zgjidhjes me dy shtete”.
Macron, Starmer dhe Carney i bënë thirrje gjithashtu Hamasit që të lirojë menjëherë pengjet që mban që nga 7 tetori 2023.
“Izraeli pësoi një sulm brutal më 7 tetor. Ne gjithmonë kemi mbështetur të drejtën e Izraelit për të mbrojtur izraelitët kundër terrorizmit. Por ky përshkallëzim është plotësisht joproporcional”, theksuan ata.
Të tre vendet riafirmuan mbështetjen e tyre për përpjekjet e bëra nga SHBA-të, Katari dhe Egjipti për një armëpushim në Rripin e Gazës.
“Një armëpushim, lirimi i të gjithë pengjeve të mbetura dhe një zgjidhje politike e qëndrueshme përfaqësojnë shpresën më të mirë për t’i dhënë fund vuajtjeve të pengjeve dhe familjeve të tyre, për të lehtësuar vuajtjet e pësuara nga qytetarët e Gazës dhe për t’i dhënë fund kontrollit të Hamasit mbi Gazën. Këto negociata duhet të kenë sukses dhe të gjithë duhet të punojmë drejt zbatimit të zgjidhjes me dy shtete, e cila është e vetmja mënyrë për të sjellë paqen dhe sigurinë e qëndrueshme që meritojnë si izraelitët ashtu edhe palestinezët dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë në rajon”, shtuan ata.
Top Channel