
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, i është sekuestruar telefoni ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, si pjesë e hetimeve për krime zgjedhore.
Policia bën me dije në njoftim zyrtar se drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit Elvis Rroshit , 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.
Shtetasve Orges Sinella, 38 vjeç, Tak Rroshi 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit Tauland Hasa, 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.
Ndërsa shtetasit Mirel Sinella 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër.
Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë.
Top Channel