
Austria triumfoi në edicionin 69-të të Festivalit Europian të këngës, që falë votave të publikut përmbysi rezultatin në fund, duke lënë pas Izraelin dhe Estoninë.
Me 436 vota në total për këngën “Wasted Love”, JJ i dha Austrisë fitoren e tretë në Eurovision. “Dashuria është forca më e madhe në botë, le të përhapim më shumë dashuri”, ishte mesazhi i artistit 24-vjeçar teksa mori çmimin mes lotësh dhe emocionesh.
Izraeli qëndroi në vendin e dytë me Yuval Raphael, një e mbijetuar e sulmeve të Hamasit më 7 tetor, që fitoi mbështetje për këngën e saj “New Day Will Rise”. Megjithatë, pjesëmarrja e Izraelit këtë vit u bë po ashtu objekt debatesh dhe thirrjesh për përjashtim për shkak të luftës në Gaza.
Me Espresso Macchiato të Tommy Cash, një këngë ritmike por që parodizon kulturën italiane të kafesë, Estonia u rendit e treta.
Mes 26 vendeve finaliste, Shqipëria doli në dhjetëshen më të mirë, me 218 pikë. Ndonëse juria u tregua dorështrënguar me vlerësimet për Shqipërinë, Zjerm e Shkodrës Elektronike rezultoi ndër këngët më të votuara nga publiku, që i dha plot 173 pikë, duke e nxjerrë në vend të tetë. Kënga përfaqësuese e vendit tonë u shndërrua në hit, theu rekord shikimesh në kanalin zyrtar të Eurovision në Youtube. Mes fansave të Zjerm ishte dhe Marko Bosnjaak, përfaqësues i Kroacisë në Eurosong 2025, teksa u bë virale një video e tij që votonte vazhdimisht Shqipërinë.
Kënga e dyshes Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, ku tradicionalja bëhet një me muzikën elektronike e që flet për një botë ideale ndezi skenën e Eurosong. Zjerm prezantoi denjësisht kulturën muzikore shqiptare në Festivalin Europian të Këngës.
Mes shteteve finaliste, San Marino mbeti në vend të fundit, ndërsa ra në sy fakti se Mbretëria e Bashkuar dhe vetë shteti organizator, Zvicra, morën 0 pikë nga publiku.
Top Channel