
Ushtria izraelite ka nisur një ofensivë të re tokësore në shkallë të gjerë në veri dhe jug të Rripit të Gazës, e mbështetur nga sulme ajrore intensive.
Lajmi u konfirmua nga zyrtarë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të cilët thanë se operacioni ka për qëllim “thyerjen e aftësive luftarake të armikut”.
Shefi i shtabit të IDF-së, Herzi Halevi, deklaroi se ofensiva do të vazhdojë derisa forcat palestineze të neutralizohen plotësisht në zonat ku po veprohet. Ai shtoi gjithashtu se ushtria do të lejojë fleksibilitet për lidershipin politik në lidhje me çdo marrëveshje të mundshme për lirimin e pengjeve.
Ndërkohë, reagimi publik në Izrael nuk ka munguar. Rreth 500 protestues izraelitë marshuan nga qyteti jugor i Sderotit drejt kufirit me Gazën, duke kundërshtuar zgjerimin e operacionit ushtarak.
Protestuesit mbanin pankarta me imazhe të fëmijëve të vrarë në sulmet ajrore dhe bluza me mesazhe si: “Ndalo mizoritë në Gaza”.
Ata paralajmëruan se udhëheqës të koalicionit qeveritar, përfshirë Smotrich, Ben Gvir dhe kryeministrin Netanyahu, janë në përgatitje për të dërguar dhjetëra mijëra trupa për të pushtuar Gazën, duke rrezikuar jetët e civilëve palestinezë dhe pengjeve izraelite.
Organizatorët e protestës theksuan se një pushtim i plotë do të përshkallëzonte krizën humanitare, do të thellonte zhvendosjet dhe do të rrezikonte sigurinë e të gjithë rajonit.
Dy protestues u ndaluan nga policia pasi tentuan të bllokonin një kryqëzim gjatë marshimit.
Top Channel