“Rama e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt për të investuar”, mesazhi i dhëndrit të Trump: Resorti në Sazan, do ndërtojmë diçka spektakolare

17/05/2025 17:07

Dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, biznesmen dhe investitor i njohur në Shtetet e Bashkuara, vlerësoi kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur një politikan të fuqishëm dhe lider të zgjuar.

Në një video-mesazh, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar, që po zhvillohet në Tiranë, Kushner tha se qeveria e Ramës ka ndryshuar klimën e jetesës dhe e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt për të investuar.

Edi është një politikan shumë i aftë, na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës, ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie”, u shpreh Kushner.

Në videomesazhin e dhënë në forumin ndërkombëtar ekonomik, Kushner zbuloi detaje nga projekti në Sazan, prej ku tha se do të ndërtohet diçka spektakolare.

“Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë. Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen – 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuzi – dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut”, shtoi më tej investitori i njohur amerikan.

Për herë të parë, dhëndri i Donad Trump tregoi edhe pse vendosi të investojë 1.4 miliardë dollarë në Shqipëri.

“Ka kaq shumë bukuri të jashtëzakonshme – uji, notuam shumë, bëmë shumë ecje. Vendi ka një bukuri natyrore të pabesueshme, por dukej sikur askush nuk e njihte apo e kuptonte. Nuk mendova shumë për të për një vit. Pastaj, rreth një vit më vonë, nisëm të shikonim mundësi në Ballkan, dhe partneri që udhëhiqte këtë iniciativë më tha: “Le të shkojmë në Shqipëri.” Pra shkuam atje, kërkuam për mundësi, dhe gjetëm disa mundësi të jashtëzakonshme. E gjithë kjo nisi nga një pasion, dhe nga dëshira për të ndërtuar diçka që mendojmë se mund të jetë vërtet unike në botë”, theksoi dhëndri i Trump.

Me statusin e investitorit strategjik prej janarit të këtij viti, dhëndri i Trump, Jered Kushner, do të ndërtojë në ishullin e Sazanit një resort me vlerë 1.4 miliardë dollar, edhe me shtetin shqiptarë pjesë të investimit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta