
Gazetari suedez Joachim Medin, i cili u arrestua në fund të marsit në Turqi dhe u dënua për “fyerje të Presidentit turk” Recep Tajip Erdogan, u lirua sot, njoftoi kryeministri suedez Ulf Kristersson.
“Ai është duke udhëtuar nga Turqia për në Suedi. Do të mbërrijë brenda pak orësh”, tha Kristersson në një postim në platformën X.
“Puna e vazhdueshme, në qetësi relative, ka dhënë fryte”, shtoi ai, duke falënderuar homologët e tij evropianë që “ndihmuan shumë në këtë proces”.
40-vjeçari Medin, i cili punon për gazetën Dagens ETC, u arrestua më 27 mars kur mbërriti në Stamboll për të mbuluar protestat që kishin filluar në ditët e mëparshme pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së qytetit, Ekrem Imamoglu.
Në fund të prillit, një gjykatë e Ankarasë e dënoi atë me 11 muaj burg, me kusht për “fyerje të presidentit”.
Pavarësisht dënimit me kusht, Medin mbeti në burg, i akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste”.
Gazetari mohon akuzat e ngritura nga autoritetet turke. Ai u ndoq penalisht sepse, sipas gjyqësorit turk, ai mori pjesë në një demonstratë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në Stokholm në janar 2023.
Top Channel