Trump mbyll turin e tij në vendet arabe me një mesazh misterioz, presidenti: Çdo shtet do e dijë shpejt sa duhet të paguajnë për të bërë biznes me ne

16/05/2025 22:42

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se brenda dy ose tre javëve të ardhshme, zyrtarët amerikanë do të dërgojnë letra në vende të ndryshme duke përshkruar “sa do të paguajnë për të bërë biznes” me Uashingtonin.

Deklarata u bë para se ai të largohej nga Abu Dhabi, ndalesa e fundit e turneut të tij katër-ditor në vendet e Gjirit. Trump nuk dha detaje se çfarë donte të thoshte.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan një “armëpushim” në luftën e tyre tregtare të hënën, pas bisedimeve midis përfaqësuesve të tyre në Zvicër. Trump iu referua këtij zhvillimi, si dhe marrëveshjes së veçantë tregtare që ai nënshkroi me Britaninë.

“Në një moment gjatë dy ose tre javëve të ardhshme, mendoj se Sekretari i Thesarit, Scott Bessent dhe Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick do të dërgojnë letra duke i treguar botës se sa do të paguajnë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Trump komentoi se zyrtarët amerikanë nuk janë në gjendje të takohen me të gjitha nga 150 vendet që duan një marrëveshje me Uashingtonin.

Javën e kaluar, SHBA-të arritën një marrëveshje të kufizuar tregtare me Britaninë, duke mbajtur në fuqi tarifat prej 10% për eksportet britanike, por duke ulur tarifat më të larta për çelikun dhe makinat.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta