
Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duke shprehur shqetësim për operacionet e Policisë së Kosovës, inspektimet dhe mbylljet e shërbimeve publike, të cilat sipas BE-së rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale.
Në deklaratën zyrtare, BE thekson shqetësimin e veçantë për veprimet ndaj kompanisë “Vodovod Ibar” në Mitrovicën e Veriut, si dhe ndaj impiantit të furnizimit me ujë dhe ndërmarrjes publike komunale në Zubin Potok – shërbime bazë për banorët e kësaj zone.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara dëmtojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit mes komuniteteve,” thuhet më tej në reagim.
BE i bën thirrje kryeministrit në largim, Albin Kurti, dhe autoriteteve të Kosovës që të ndalojnë këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprime që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës.
Gjithashtu, të dyja palët – Kosova dhe Serbia – ftohen të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksit të saj, si dhe të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE.
Në fund, BE thekson se normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për përparimin evropian të të dyja palëve.
Top Channel