
Presidentja Vjosa Osmani, kritikoi ashpër Bashkimin Europian nga Tirana ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politikan Europian.
Duke folur për gazetarët përpara Samitit, ajo tha se Brukseli po i hap derën vendeve që shkojnë në Moskë te Putini dhe jo Kosovës që është 100% në të njëjtën linjë me BE-në, duke nënkuptuar vizitën e Vuçiç te Putin javën e kaluar.
“Përkundër faktit që ne jemi 100% të linjëzuar me politikën e jashtme dhe sigurisë së BE-së, ka një bllokadë totale nga ana e BE, nuk vlerësohen reformat tona, nuk vlerësohet puna jonë. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë se më shumë po i hapet dera atyre që po shkojnë në Moskë të Putini se sa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”, u shpreh Osmani.
Ajo kërkoi heqjen e masave kufizuese që BE i ka vendosur Kosovës.
“Më me rëndësi janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe BE. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, për fat të keq akoma nuk është shqyrtuar. Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese, të ketë veprime konkrete, veçanërisht për shtete si Kosova që është në linjë të plotë me BE. Kosova është gjithë e gatshme që të marrë pjesë në dialog“.
Në lidhje me ngërçin për konstituimin e Kuvendit, Osmani tha se “Kosova ka pasur seanca, një muaj u bë dje për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë që vjen më pas, inkurajoj liderët që për interes të qytetarëve që të mos dëmtohemi më shumë të kemi institucione sa më parë“.
Top Channel