Kryeministri britanik takohet me Begajn, presidenti: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për Britaninë

15/05/2025 10:38

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti Begaj vlerësoi se këto marrëdhënie, të cilat datojnë prej 104 vjetësh, vazhdojnë të forcohen nëpërmjet shpirtit të vërtetë të miqësisë, bashkëpunimit dhe partneritetit.

Kreu i Shtetit e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Starmer si shumë domethënëse në ndërtimin e një partneriteti strategjik midis dy vendeve.

Presidenti i Republikës falënderoi Kryeministrin britanik për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe rolin e saj në nxitjen e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, në ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, të mirëfokusuar në anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian dhe për rritjen ekonomike.

Presidenti i Republikës e vlerësoi shumë praninë e Kryeministrit anglez në kuadrin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian.

Gjithashtu, Presidenti Begaj shprehu bindjen se ky samit do të shërbejë si platformë për të promovuar integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, duke veçuar shkollimin në akademitë më të mira ushtarake të Britanisë së Madhe, stërvitjet e përbashkëta dhe kontributin me trupa në misionin KFOR.

Presidenti theksoi se paqja, siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe BE-në. ”Plani i rritjes, në këtë kontekst, dhe investimet në Korridorin XIII, si korridor strategjik, përforcojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Kjo është hera e parë që një kryeministër britanik viziton vendin tonë.

Vizitën në Shqipëri kryeministri Starmer e nisi në portin e Durrësit.

Ai pa në terren punën e policisë shqiptare dhe agjentëve të NCA Agjencisë Britanike Kundra Krimit të organizuar.

NCA është duke ndihmuar policinë shqiptare në parandalimin e trafikut të emigrantëve drejt Anglisë përmes dokumenteve të falsifikuara.

Po ashtu edhe për zbulimin e parave të krimit të cilat tentohen të futen në Shqipëri të fshehura në furgonë mallrash.

Starmer do të zhvillojë një takim ‘kokë më kokë’ me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta