Në konferencën për shtyp Rama Starmer nuk munguan pyetjet për një temë të nxehtë atë të emigracionit ilegal.

Të dy kryeministrat iu përgjigjën pyetjeve të gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu.

Muhamed Veliu: Gjatë takimit që patët me kryeministrin Rama, e diskutuat çështjen e atyre që në Britaninë e Madhe njihen si Foreign Hub, për t’i dhënë mundësinë qeverisë tuaj për të dërguar azilantët e dështuar e më pas për ti kthyer në vendet e tyre të origjinës, ndërkohë që edhe kryeministri Edi Rama e përmendi në vitin 2022 ne patëm 12 000 shqiptarë mbërritur me varkat e vogla ndërkohë që në 2024 numri është 600, pra 94% më pak. Në të tilla kushte, a ka mundësi qeveria juaj për të rritur kuotat e vizave për punonjës sezonal për qytetarët shqiptarë?

Muhamed Veliu: Ndërkohë kryeministër Rama, sa mundësi ka Shqipëria për ta vazhduar ndihmën ndaj Britanisë së Madhe për çështjen e emigracionit, për të patur Britania e Madhe një facilitet të ngjashëm me atë që ka Italia për sa i përket emigrantëve ilegal? Faleminderit!

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer: Ajo çfarë diskutuam ishte efektiviteti i atyre bashkëpunimeve që kemi bërë për këto 2-3 vite që kanë çuar në uljen dramatike të shifrave siç ju e përmendët, nga 12.000 në një ulje prej 94% dhe diskutim se si kjo punë përmes kësaj skuadre të përbashkët, mund t shtrihet në vende të tjera të rajonit dh si mund ta bëjmë këtë më efektive.

Po kështu diskutuam duke dalë nga takimi sot paradite, si të punojmë së bashku edhe për çështje të aktiviteteve të tjera kriminale ndërkufitare dhe si ekipi ynë të ndajë jo vetëm elementë operative por dhe informacion inteligjence.

Ky model i veçantë ka qenë më efektivi dhe kryeministri dhe unë mendojmë njësoj në kuptimin që nuk preferojmë të flasim për problemin dhe t’i biem rreth e rrotull herë pas here por të përveshim mëngët, të punojmë e ta zgjidhim atë. Në fakt ky është qëllimi task forcës, një organ operativ dhe në fakt është një punë që jemi mjaft të prirur ta mbështesim dhe një shembull për të tjerët.

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket pyetjes lidhur me replikimin e modelit që ne kemi sjellë në Shqipëri në bashkëpunim me Italinë, unë e kam thënë që në krye të herës, që ky është një model i cili kërkon kohën e vet për tu testuar, e para dhe e dyta, ky është një model që në rast se funksionon, mund të replikohet por jo në Shqipëri, në vende të tjera të rajonit ku po qe se rezultati i modelit do të jetë pozitiv, nuk ka arsye që të mos ketë disponim nga ana e vendeve të tjera.

Ndërkohë, dua të shtoj dhe diçka tjetër, që kryeministri e preku, që ne kemi diskutuar edhe për samitin që do të bëhet në Londër në tetor, për Procesin e Berlinit, ku Britania e Madhe do të mikpresë Procesin dhe pavarësisht fakti se Procesi i Berlinit është një proces i ndërtuar brenda, si të thuash hemisferës europiane nën udhëheqjen e kancelares Merkel për të nxitur bashkëpunimin rajonal në funksion të integrimit edhe Europian, ne gjykojmë se do të jetë shumë më pozitive dhe një vlerë e shtuar që në samitin e Londrës, vendet e rajonit të kenë edhe një dritare diskutimi për marrëdhënien mes Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, në drejtim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, në drejtim të nxitjes së investimeve britanike në rajon dhe në drejtim të asaj që tha kryeministri, shtrirjes së kësaj bërthame shqiptaro britanike të luftës kundër emigracioneve të paligjshme dhe rrjeteve kriminale, për të pasur një rrjet rajonal të sinkronizuar me strukturat e zbatimit të ligjit në Britaninë e Madhe dhe për të siguruar që e gjithë kjo hapësirë, është një hapësirë ku veprimtaria e rrjeteve kriminale që nxisin trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore, është absolutisht nën kontroll.

Top Channel