
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte sot në Forumin Botëror të IDU-së në Bruksel, nga ku deklaroi se shkoi për të denoncuar “farsën zgjedhore të 11 majit dhe për të mbrojtur votën e shqiptarëve”.
Berisha u takua me drejtues të IDU-së dhe përfaqësues të partive të djathta, duke deklaruar se e kanë siguruar se mbështesin “përpjekjet e opozitës shqiptare për rikthimin e votës së lirë”.
Sali Berisha tha se PD ka dokumentuar në kohë reale parregullsitë dhe manipulimet, dhe sapo të përfundojë procesi i ankesave, do dorëzojë raportin përfundimtar në kancelaritë kryesore perëndimore.
“Ne, çdo gjë e kemi gati në kohë reale, e kemi të përgatitur, por natyrisht, finalizohet me finalizimin e procesit zgjedhor dhe shqyrtimit të ankesave. Pas kësaj, ne raportin e kemi gati. Ne kemi punuar në mënyrën më serioze. Ne kemi parashikuar këto zhvillime. Dhe pikërisht, në këtë trend, ne kemi dokumentuar shumësinë e pafundme të parregullsive, të dhunimeve, të manipulimeve, të këtyre zgjedhjeve.
Kështu që, fundi i procesit ka pothuaj në të njëjtën kohë, është dhe përfundimi i raportit të cilin ne do ta paraqesim në të gjitha organizatat e mëdha, ku bëjnë pjesë të gjitha kancelaritë e mëdha të Europës dhe botës, në Uashington, në kancelarinë gjermane, britanike, në Francë. Kudo, do paraqesim dokumentacionin e farsës elektorale të Edi Ramës.
Ne vijmë për t’ja paraqitur gjithçka ligjvënësve, administratës së SHBA-ve të gjitha faktet flagrante që kemi, të cilat rrëzojnë këtë farsë elektorale dhe dëshmojnë në Shqipëri është i instaluar narkoshteti.
Ne, po përpiqemi dhe jam optimist. Natyrisht, agjenda e Kongresit Amerikan dhe e senateve është një agjendë shumë e ngjeshur. Por, unë kam shumë besim që do arrijmë që, në një mënyrë ose një tjetër të paraqesim kauzën tonë të drejtë.
Opozita nuk njeh asnjë vendim antikushtetues. Gjykata Kushtetuese e republikës së Shqipërisë i ka dhënë përgjigje përfundimtare çështjes së tubimeve. Po, ne e deklarojmë publikisht se tubimi i opozitës nuk kërcënon dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e mysafirëve në Tiranë”, ka deklaruar mes të tjerash.
Top Channel