
Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër krimeve kibernetike, i koduar “Platforma”, është finalizuar me sukses, duke përfshirë disa shtete si Gjermania, Shqipëria, Qipro dhe Izraeli.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Europol dhe Eurojust, ndërsa në Shqipëri u drejtua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, nën koordinimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Në kuadër të këtij operacioni, në Tiranë u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke ushtruar kontrolle në tre ambiente të ndryshme. Gjatë ndërhyrjes, u sekuestruan si prova materiale 2 aparate celularë, 1 laptop, 1 njësi kompjuterike, 1 USB, 1 hard disk i jashtëm dhe një shumë prej 40,020 eurosh.
Hetimet janë pjesë e një letërporosie të lëshuar nga autoritetet gjermane dhe kanë në qendër një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online. Dyshohet se ky grup ka mashtruar mbi 100 persona në disa shtete, duke shkaktuar një dëm financiar që tejkalon 3 milionë euro.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në fushën e krimeve kibernetike dhe mashtrimeve financiare. Hetimet vijojnë.
Top Channel