Erdogan përshëndet shpërbërjen e PKK-së, analistët: Kurdët janë lodhur nga konflikti!

13/05/2025 17:05

Recep Tayyip Erdogan e përshëndeti vendimin e PKK-së për t`i dhënë fund përpjekjes së saj disa dekadëshe për vetëvendosje, e për t`u shpërbërë.

Presidenti turk e quajti këtë një hap të rëndësishëm “për ruajtjen e paqes dhe vëllazërisë”, dhe shtoi se Ankaraja do ta ndjekë nga afër këtë proces për të shmangur çdo problem.

“Sapo PKK-ja të dorëzojë armët, do të hapen dyert e një epoke të re. Ky është një hap kyç drejt objektivit tonë për të pasur një vend të lirë nga terrorizmi.  Turqia e sheh këtë si një proces që përfshin edhe militantët kurdë në Irak, Siri dhe Europë”, tha Erdogan.

E shpallur organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit e nisi kryengritjen e saj në vitin 1984 me qëllim  fillestar krijimin e një shteti të pavarur kurd.

Konflikti i saj me shtetit turk zgjati për mbi katër dekada, e ka marrë 40 mijë jetë njerëzish. Vendimi i shpërbërjes tani pritet të ketë pasoja të gjera politike dhe të sigurisë për rajonin, përfshirë edhe për Sirinë fqinje, ku forcat kurde janë aleate të forcave amerikane.

Vitet e fundit, kërkesat e këtij grupimi ishin spostuar drejt një autonomie më të madhe dhe të drejtave për kurdët brenda Turqisë, duke u larguar kështu nga objektivi që shënjoi fillesat e saj.

PKK-ja njoftoi se procesi praktik i shpërbërjes dhe çarmatosjes do të menaxhohet dhe mbikëqyret nga themeluesi i saj, Abdullah Öcalan, i cili ndodhet në burgim në një ishull pranë Stambollit që nga viti 1999.

Analistët politikë thonë se komuniteti kurd në Turqi ishte “lodhur nga konflikti dhe po shpreson për paqe”, edhe pse kurdët sipas tyre, nuk janë 100% të bindur nëse mund t’i besojnë qeverisë turke.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta