Oferta e papritur e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’iu bashkuar bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen këtë javë në Stamboll, nxiti diskutime mes diplomatëve, mes skepticizmit të aleatëve të Kievit mbi mundësinë reale të mbajtjes së tyre si dhe sinqeritetit të kreut të shtetit rus, Vladimir Putin.

“Mos e nënvlerësoni këtë takim”, tha Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, para nisjes për një udhëtim në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke iu referuar bisedimeve të mundshme më 15 maj.

“Po mendoja të fluturoja atje. Nuk e di ku do të jem të enjten”, tha Trump. “Kam aq shumë takime… Ndoshta do të jem atje, nëse e shoh që mund të ndodhë diçka”, shtoi ai.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u shpreh pas një takimi me homologun ukrainas Volodymyr Zelenski se këto bisedime mund të rezultojnë në mundësi të favorshme. “Shpresojmë që kjo mundësi nuk do të çohet dëm”, theksoi Erdogan.

Turqia është e gatshme të angazhohet maksimalisht për takimet, nënvizoi ai. Zelenski shkroi në Telegram se me “Erdogan diskutuam pikat kryesore të takimit në Turqi të cilat mund të ndihmojnë për përfundimin e luftës”.

“Jam mirënjohës për gatishmërinë në nivelin më të lartë për të nxitur diplomacinë”, ishte mesazhi i tij. Zelenski u tregua i kujdesshëm të përshëndeste edhe dekolaratën e Trumpit për pjesëmarrje të mundshme në bisedime.

“Të gjithë ne në Ukrainë e përshëndesim pjesëmarrjen e Presidentit Trump. Kjo është ideja e duhur. Ne mund të bëjmë një ndryshim të madh”, deklaroi Zelenski.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta