
Policia ka reaguar pas incidentit që ndodhi në njërën prej qendrave të votimit në Pogradec.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy persona, më konkretisht shtetasit me iniciale A.T, 23 vjeç dhe R.T, 58 vjeç.
Po ashtu janë shpallur në kërkim katër persona.
Kujtojmë se eksponenti i PD Luan Tollozhina goditi me grusht komisionerin e PS Entin Gegën në qendrën e votimit pasi vajza e tij kryetarja e komisionit u përfshi në një debat me të.
“Në vijim të informacionit të dhënë sot ku në qendrën e votimit nr.3901, shtetasi L. T., tashmë i arrestuar nga Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, dhunoi fizikisht komisionerin shtetasin E. G, ju informojmë se:
Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në dhunimin e djalit dhe të bashkëshortes së komisionerit Entin Gega, i cili u dhunua nga shtetasi Luan Tollozhina.
Si rezultat i hetimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. T., 23 vjeç, dhe R. T., 58 vjeç, banues në Pogradec për veprat penale ” Goditja ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasit D. M., 30 vjeç, E. M., 35 vjeç, R. T., 37 vjeç, si dhe L. K., 34 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas rreth orës 13:00, kanë shkuar në afërsi të banesës së komisionerit shtetasit E. G., 52 vjeç, dhe kanë dhunuar djalin dhe bashkëshorten e tij
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe kapjen dhe shoqërimin e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel