Na ndajnë më pak se 24 orë nga nisja e votimit për Parlamentaret 2025.

Komisioni i KZAZ me nr 18 në rrethin e Bulqizës ka nisur shpërndarjen e bazës materiale për procesin zgjedhor të 11 Majit, si kutitë me materiale zgjedhore, fletët e votimit, vulat që do të përdoren nga komisionet e qendrave te votimit, vulat me kodet e sigurisë e të tjerë, raporton korrespondenti i Top Channel Dëfrim Karaj.

Sipas kryetarit të KZAZ nr 18 të rrethit Bulqizë Kujtim Kërkurti, procesi i bazës materiale të zgjedhjeve të 11 Majit ka nisur pa probleme për 49 qendra të votimit që i përkasin rrethit të Bulqizës, ndërkohë ai u shpreh se janë plotësuar të gjithë dokumentacionet për komisionarët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 Majit.

Edhe në qarkun Lezhë ka filluar procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore tek KZAZ 13 aty ku do të merren materialet për njësitë administrative.

Korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda raporton se e para po i merr njësia administrative Ungrej për shkak të largësisë me Lezhën.

KZAZ 12 ku është Shëngjini, Balldren dhe Lezhë pritet të fillojë rreth orës 14:00. Po ashtu dhe në Mirditë e Kurbin ende nuk ka filluar shpërndarja e materialeve zgjedhore.

Ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në KZAZ numër 70 të qytetit të Pogradecit. Grupet e komisionit të qendrave të votimit janë paraqitur pranë KZAZ në qytetin e Pogradecit për të tërhequr materialet.

Mandi Mekolli kryetar i KZAZ nr. 70 tregon se procesi ka nisur që në orën 9:00 dhe pritet të përfundojë brenda pak orësh. Materialet do të shpërndahen në 7 njësitë administrative, ndërkaq për herë të parë pritet të votojnë edhe gratë të cilat vuajnë dënimin në IVP e Pojskës. Gjykata është shprehur me vendim ndërsa pritet që ky vendim të komunikohet zyrtarisht në KZAZ.

E po ashtu nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në KZAZ 52 bashkia Gramsh. Në këtë KZAZ ka gjithsej 48 qendra votimi të cilat tashmë po marrim materialet zgjedhore për të qenë gati nesër në hapje të procesit të votimit.

Shpërndarja e materialeve zgjedhore deri në këto momente ka filluar në Bashkinë Pogradec, si edhe në bashkinë e Maliqit, Devollit dhe Kolonjës. Sa i përket Bashkisë Korçë, po bëhet shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ 74 e Njësive Administrative  ndërsa në KZAZ 75 e qytetit ende nuk ka nisur. Nuk ka nisur po ashtu edhe në Pustec.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta