
Një tjetër episod dramatik ka goditur marrëdhënien tashmë të tensionuar mes Kanye West dhe ish-bashkëshortes së tij, Kim Kardashian. Një dokument që u publikua së fundmi në media – dhe që u pretendua se ishte një padi e ngritur nga reperi kundër Kardashian – ngriti akuza të rënda për neglizhencë ndaj fëmijëve dhe shkelje të marrëveshjes së kujdestarisë.
Dokumenti u publikua për herë të parë nga TMZ, por më vonë rezultoi të ishte i rremë.
Në letrën e supozuar, Kardashian akuzohej për shfrytëzimin e fëmijëve për përfitime publike dhe publicitet, duke përmendur rastin kur vajza e tyre North u pa vetëm në makinë gjatë eventit Met Gala 2025. Dokumenti i rremë i referohej gjithashtu pranisë së North në event dhe përdorimit të TikTok-ut, duke pretenduar se Kardashian ka ndërprerë kontaktin mes fëmijëve dhe babait të tyre, madje duke përmendur se West nuk e kishte parë vajzën tjetër, Shade, gjatë gjithë vitit 2025.
Kanye West Cease and Desist Letter to Kim Kardashian Just a Hoax | Click to read more 👇 https://t.co/BjDLEvrA68
— TMZ (@TMZ) May 9, 2025
Pas publikimit, TMZ sqaroi se dokumenti ishte i rremë dhe se reperi nuk kishte asnjë lidhje me të. Një zëdhënës i kompanisë YEEZY deklaroi për Page Six: “Letra është padyshim e rreme. TMZ nuk na kontaktoi për koment përpara publikimit dhe vetëm mëngjesin e sotëm na dërguan një email për të pyetur nëse ishte mashtrim. Po ishte. Ju e botuat gjithsesi.”
Megjithatë, ndonëse dokumenti ishte fals, përmbajtja e tij nuk është plotësisht e paprecedentë. Disa prej akuzave përkojnë me deklaratat e mëparshme të vetë Kanye West, të shprehura në rrjete sociale, ku ka kritikuar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët e tij dhe ka shfaqur pakënaqësi për çështjen e kujdestarisë. Burime pranë Kim Kardashian i thanë TMZ se West nuk ka kërkuar të takojë fëmijët e tij shpesh këtë vit dhe se, kur ai e bën, Kim nuk e pengon.
Ndërkohë, Kanye West shkaktoi polemika të reja me publikimin e videoklipit të këngës së tij më të fundit, me titull “Heil Hitler”, ku ai shpreh hapur simpati për Hitlerin dhe sulmon sërish Kim Kardashian. Në tekstin e këngës, reperi shprehet: “Kam kaq shumë zemërim brenda meje. Këta njerëz më morën fëmijët dhe më ngrinë llogarinë bankare.”
Ai shton se ndjenjat e tij të shtypura dhe beteja për kujdestarinë e kanë shtyrë drejt ekstremizmit: “Me të gjitha paratë dhe famën time, ende nuk mund t’i shoh fëmijët e mi. Njerëzit me ngjyrë shohin Twitter-in tim, por nuk shohin se si ndihem. Kështu që u bëra nazist. Po, ku…, unë jam djali i keq.”
Deklaratat e fundit të West, së bashku me përmbajtjen tronditëse të këngës, kanë ngjallur shqetësim të madh në publik dhe në komunitetet e të drejtave të njeriut, ndërsa përshkallëzojnë më tej përplasjen publike mes dy figurave të njohura.
Top Channel