
Një aksident tragjik ka ndodhur këtë pasdite në Porticello, ku një zhytës holandez 39-vjeçar, Robcornelis Maria Huijben Uiben, humbi jetën gjatë operacioneve përgatitore për nxjerrjen e jahtit luksoz “Bayesian”, i cili u mbyt më 19 gusht të vitit të kaluar, duke marrë jetën e 7 personave.
Sipas raportimeve paraprake, nuk janë konstatuar lëndime apo shenja djegieje në trupin e viktimës, ndërsa dyshohet se ai mund të jetë sëmurë gjatë zhytjes në ujë, në thellësinë rreth 50 metra.
Zhytësi ishte pjesë e një ekipi teknik të kompanisë TMC Marine dhe po punonte në trupin e jahtit të fundosur, në një nga fazat e fundit për përgatitjen e ngritjes së tij nga ujërat e Santa Flavias.
Në vendin e ngjarjes ndodheshin edhe një numër zhytësish të tjerë dhe një ponton i madh, “Hebo 10”, i cili do të përdorej për të nxjerrë superjahtin me vela në sipërfaqe. Operacionet po kryhen nën mbikëqyrjen e Rojës Bregdetare dhe Karabinierëve.
Fatkeqësisht, kjo vdekje e fundit konsiderohet viktima e tetë, edhe pse indirekte, e tragjedisë së ndodhur në gushtin e kaluar, duke rikthyer vëmendjen tek rreziqet që shoqërojnë operacionet nënujore dhe proceset komplekse të rikuperimit të anijeve të mbytura.
Top Channel