Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e zbut sërish qëndrimin e tij, duke lënë së fundi të kuptohet se tarifat e vendosura mbi mallrat kineze mund të ulen, pasi zyrtarët e lartë të tregtisë nga dy ekonomitë më të mëdha në botë të ulen në tryezën e negociatave.

“Niveli i tarifave tani është 145%, nuk mund të shkojë më lart se kaq, pra, ne e dimë se do të bjerë”, tha Trump, duke iu referuar taksave të reja të importit të vendosura Kinës pas rikthimit të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan i bëri këto komente gjatë një eventi ku u njoftua arritja e një marrëveshjeje për tarifat me Mbretërinë e Bashkuar. Takimi në Zvicër këtë fundjavë është sinjali më i fortë se Washingtoni dhe Pekini janë gati për të zbutur luftën tregtare që ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në tregjet e aksioneve.

“Unë mendoj se ka për të qenë një takim shumë miqësor. Kam përshtypjen që ata presin me padurim t`i ulin tensionet në një mënyrë mjaft elegante”, shtoi ai.

Zëvendësministri i Jashtëm kinez Hua Chunying u shpreh se Pekini ka “besim të plotë” në aftësinë e tij për të menaxhuar çështjet tregtare me SHBA. Ekspertët sakaq shpjegojnë se të dyja palët në fakt janë “nën presion ekonomik në rritje”, dhe zbutja e situatës, sipas tyre, u vjen përshtat si SHBA-së, ashtu edhe Kinës.

Edhe pse bisedimet konsiderohen një hap i parë i rëndësishëm drejt zbutjes së tensioneve, analistët paralajmërojnë se ato mund të jenë të gjata e të vështira.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta