“Dita e Fitores” në Rusi/ Putin përdor fjalimin gjatë paradës për të komentuar luftën ndaj Ukrainës: E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë

09/05/2025 10:27

Presidenti rus, Vladimir Putin mbajti një fjalim 10 minuta të gjatë, para trupave ruse dhe udhëheqësve nga rreth 20 vende të mbledhura sot në Sheshin e Kuq të Moskës për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste, një përvjetor që festohet për të katërtin vit radhazi në hijen e konfliktit në Ukrainë.

“Në Rusi, Dita e Fitores është festa më e rëndësishme”, tha Putin, duke theksuar se vendi i tij i kujton mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk do të pranojë kurrë shtrembërimin e ngjarjeve të saj.

Presidenti rus i kërkoi turmës së mbledhur të mbante një minutë heshtje në kujtim të të vdekurve të “Luftës së Madhe Patriotike”, teksa të ftuarit në tribuna që u ngritën nga vendet e tyre për të treguar respekt.

Presidenti rus iu referua gjithashtu në fjalimin e tij “operacionit special ushtarak” në Ukrainë, duke thënë se i gjithë populli mbështet trupat.

“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe populli mbështesin ushtarët që po marrin pjesë. Jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Për këtë forcë shpirtërore që na ka sjellë gjithmonë vetëm fitore”, tha Putin.

Pas fjalimit të presidentit rus, nën muret e Kremlinit filloi një paradë e madhe ushtarake, në të cilën morën pjesë presidentët e Kinës Xi Jinping dhe Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, si dhe udhëheqësit e aleatëve të Rusisë, si Kazakistani, Bjellorusia, Vietnami, Armenia, Kuba dhe Venezuela.

Pavarësisht politikës së izolimit të promovuar nga Perëndimi, kryeministri sllovak Robert Fico, duke sfiduar thirrjet e Bashkimit Evropian dhe kreu i shtetit serb Aleksandar Vuçiç janë gjithashtu të pranishëm, si dhe presidenti serb i Bosnjës Milorad Dodik, i cili kërkohet nga drejtësia boshnjake.

Ushtarë nga 13 vende të tjera morën pjesë në paradën e madhe në Sheshin e Kuq, përfshirë ushtarë nga Kina, Vietnami, Burma dhe Egjipti.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta