Presidenti kinez Xi Jinping në Moskë, çfarë po ‘gatuhet’ në takimin me Putinin?

08/05/2025 11:05

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka mbërritur në Kremlin, ku është mirëpritur nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, ndërsa dy udhëheqësit kanë nisur zyrtarisht bisedimet dypalëshe.

Sipas burimeve zyrtare, Putin pritet të informojë presidentin kinez për ecurinë e marrëdhënieve të Rusisë me Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, gjatë takimeve të planifikuara.

“Është kënaqësi e madhe t’ju mirëpres në Moskë. Jam shumë i lumtur që kemi mundësinë të takohemi përsëri dhe vlerësoj sinqerisht këtë rast për të biseduar personalisht me ju,” deklaroi Putin gjatë fjalës së tij të mirëseardhjes. Ai falënderoi Xi Jinping për pjesëmarrjen në festimet e 80-vjetorit të Fitores së Madhe, që përkujton përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.

“Për aq sa di, nesër gjatë paradës në Sheshin e Kuq, do të marrë pjesë një kontingjent ushtarak nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës – forca më e madhe e huaj që ka marrë pjesë ndonjëherë në këtë ngjarje,” shtoi presidenti rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi se bisedimet do të zhvillohen në disa formate: takim i ngushtë midis liderëve, negociata mes delegacioneve, dhe bisedë kokë më kokë mes Xi dhe Putin.

Një vizitë e rëndësishme diplomatike

Xi Jinping mbërriti në Moskë më 8 maj dhe do të qëndrojë deri më 10 maj. Ai është një nga të ftuarit kryesorë të huaj në paradën e Ditës së Fitores, që mbahet më 9 maj në Sheshin e Kuq. Në këtë ngjarje, Moska pret gjithashtu 27 udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë.

Vizita e Xi-t vjen në një moment kritik për diplomacinë ndërkombëtare dhe konsiderohet si një sinjal i qartë për marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta mes Kinës dhe Rusisë.

Top Channel