Krimet zgjedhore për parlamentaret e 2025 në ‘lupën’ e SPAK dhe Prokurorive, por… ende një rast i pazgjidhur prej 12 vitesh

08/05/2025 20:59

Bashkë me temperaturat politike për zgjedhjet, po shtohen edhe denoncimet.

Teksa SPAK po survejon për veprat më të rënda të korrupsionit elektoral, në prokuroritë e zakonshme siç njofton prokuroria e përgjithshme, po hetohen 44 krime të tjera të lidhura me procesin. Siç mëson Top Channel çështjet nën hetim të denoncuara lidhen me pengimin me anë të dhunës të subjekteve politike për të kryer fushatë politike, kanosja e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të orientuar, dëmtim i materialeve zgjedhore, përdorim i administratës, marrje e dokumenteve të identifikimit dhe shpërdorim i autoritetit.

Denoncimet për këto krime pretendohen se kanë ndodhur në Elbasan, Durrës, Fier, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë.

Në 11 maj Shqipëria voton, por për drejtësinë vendase ka qenë një ushtrim i vështirë t’u japë përgjigje përfundimtare dhjetëra dosjeve të hapura ndër vite nga zgjedhjet e kaluara.

Një ndër to është ajo e 12 viteve më parë, konkretisht e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013 ku kërkues është një ish-sekretar KZAZ në Lezhë.

Kushtetuesja e ka kthyer çështjen për rigjykim pasi kërkuesi pretendon se ndryshoi rezultatin nën kërcënim dhe kjo gjë u konstatua nga vëzhgues të huaj dhe vendas.

Çështja në fjalë që do të rigjykohet lidhet me skandalin e Lezhës pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi se në dhjetë qendra votimi tabelat e rezultateve ishin fotokopje të vulosura  me vulën e KZAZ përkatëse dhe që u bë shkak për akuza politike në atë kohë. Për shkak të kësaj situate KQZ  në miratimin përfundimtar ka marrë si rezultat të dhënat e dërguara në kohë reale përmes databazës elektronike. Në total u morën nën hetim në atë kohë të gjithë anëtarët e KZAZ, por ndër vite i akuzuar dhe i dënuar përfundoi vetëm shtetasi  Aleksandër Gjokmarkaj.

Gjykatat thanë se i hetuari duhej gjetur fajtor edhe pse këmbënguli se nuk i administroi materiale konform ligjit për shkak të presioneve. Gjykatat thanë edhe nëse numërimi të ishte bërë nën dhunën e simpatizantëve, kjo gjë nuk e lehtësonte pozitën e të dyshuarit.

Gjykata Kushtetuese thotë se mosmarrja parasysh e kërkesës për të dëgjuar dëshmitarët  dhe marrë prova të tjera, tregon se gjykatat nuk kanë kryer një gjykim të gjithanshëm.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta