Konflikti për pronësinë mes dy familjeve në Has që la një të vdekur/ Gjykata lë në “arrest shtëpie” Artjola Sallahun

08/05/2025 15:52

Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në fshatin Pla të Hasit, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes dy familjeve.

Fillimisht, Policia arrestoi 21-vjeçaren Artjola Sallahu, e dyshuar për plagosjen me mjete të forta të dy bashkëshortëve, A. J., 65 vjeç dhe V. J., 60 vjeçe.

Ngjarja ndodhi pas një përplasjeje të dhunshme, ku të plagosurit morën ndihmë mjekësore – A. J. ndodhet jashtë rrezikut, ndërsa V. J. mbetet nën trajtim spitalor.

Por situata mori një kthesë tragjike disa orë më vonë. Ylber Jaku, 41 vjeç, djali i çiftit të plagosur, ka qëlluar për vdekje Ryshyt Sallahun, 34 vjeç, vëllain e Artjolës. Vrasja ndodhi në afërsi të banesës, teksa viktima po ecte me makinë. Autori dyshohet se ka shtënë 8 herë me një armë zjarri tip pushkë, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas një operacioni të shpejtë, Policia arrestoi Ylber Jakun dhe sekuestruan armën e krimit. Ndaj tij pritet të ngrihen akuza për “Vrasje me dashje”.

Ndërkohë, për 21-vjeçaren Artjola Sallahu, Gjykata e Shkallës së Parë Kukës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe autoritetet janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të konflikteve mes familjeve Sallahu dhe Jaku.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta