
Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në fshatin Kus.
Një 45-vjeçar është arrestuar pasi dhunoi bashkëshorten dhe fëmijët e mitur, si dhe rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë duke qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të tyre gjatë ndërhyrjes në banesë.
Gjatë operacionit, u sekuestrua arma e zjarrit kallashnikov me fishek në fole dhe një mjet prerës (thikë).
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kus, një shtetas po dhunonte bashkëshorten dhe fëmijët e tyre dhe posedonte armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e këtij shtetasi, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Mbrëmë, rreth orës 23:00, në kuadër të operacionit “Forest”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e shtetasit L. A., i cili në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe më pas, duke përfituar nga errësira dhe nga terreni, është larguar në drejtim të një zone të pyllëzuar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe pas gati 2 orë kërkimesh në pyll, kanë bërë të mundur neutralizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. A., 45 vjeç.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me fishek në fole, që ky shtetas e kishte me vete, si dhe një mjet prerës (thikë), të cilat i posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel