
Pas 14 vitesh nga përplasja e tyre publike në rrjetet sociale, Rihanna dhe Ciara kanë treguar se e kanë lënë pas të shkuarën dhe janë pajtuar, duke u fotografuar së bashku në Met Gala 2025.
Takimi i dy yjeve ndodhi më 5 maj në New York, në tapetin blu të Metropolitan Museum of Art, në eventin më të rëndësishëm të modës të vitit.
Momenti u bë menjëherë viral, kur Ciara — e veshur me një fustan të zi transparent nga LaQuan Smith — u përkul për të përkëdhelur barkun e Rihannës, e cila po përflitet se është në pritje të fëmijës së tretë.
Të dyja buzëqeshën për kamerat, duke treguar se marrëdhënia e tyre është rivendosur.
Ky gjest vjen 14 vite pas grindjes së tyre të shumëpërfolur që nisi në vitin 2011, kur Ciara, në një intervistë televizive, deklaroi se Rihanna ishte treguar “e pasjellshme” në një event. Rihanna iu përgjigj me një koment thumbues në Twitter, duke shkruar:
Më fal Ci, harrova të të lë disa pije freskuese? Sa e paedukatë nga ana ime.
Replikat vazhduan, me Ciara që paralajmëroi se “nuk do ta shihte më as në skenë, as jashtë saj”, ndërsa Rihanna ironizoi:
Oh, je gangstere, apo jo? Paç fat në mbylljen e çdo skene.
Pavarësisht përshkallëzimit, marrëdhënia mes tyre u qetësua në prapaskenë. Rihanna kërkoi falje publike më vonë në Twitter, duke thënë:
Ciara zemër, të dua vajzë! Më lëndove vërtet ndjenjat në TV! Jam zemërthyer! Kjo është arsyeja pse reagova kështu! Më fal!
Ciara e pranoi ndjesën, duke shkruar:
Ri, ti e di që gjithmonë ka pasur dashuri që nga dita e parë.
Takimi i tyre në Met Gala konfirmon se paqja mes dy divave është zyrtare — dhe fansat nuk mund të ishin më të lumtur./TAR
Top Channel