
Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër Dunavat në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.
E lindur dhe rritur në këtë lagje mes gurëve, rrugicave dhe kujtimeve, ajo përfaqëson gruan tipike qytetare, të përkushtuar ndaj shtëpisë, por me një pasion të veçantë për artin e punimeve me cimbë, një teknikë delikate që ka zbukuruar prej shekujsh veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.
Cimba, punuar me gjilpërë të hollë, kërkon orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo e ka bërë ndër vite simbol të finesës, por edhe një produkt të kushtueshëm që dikur përballohej vetëm nga disa.
Sot, Hëna thotë me keqardhje se në qytet nuk kanë mbetur më shumë se 10 gra që e njohin dhe dinë ta punojnë këtë teknikë.
“Ndonjëherë jam tunduar të krijoj motive më të thjeshta që shiten më lehtë, por gjithnjë kam besuar se cimba e vërtetë e Gjirokastrës meriton të kthehet në vëmendje, sidomos me rritjen e turizmit”, tha ajo.
Shtëpia e saj është një ekspozitë e vërtetë e punimeve të dorës, dhe trashëgimia më e çmuar që do t’i lërë së bijës është një kostum tradicional i punuar nga vetë ajo, në çdo detaj.
Megjithëse e pranon se është e vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, Hëna nuk dorëzohet. Ajo shpreson se interesi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të tëra të punës me gjilpërë ndër breza.
Top Channel