
Kina dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të takohen fundjavën e ardhshme në Zvicër për të hedhur themelet e negociatave tregtare, për herë të parë që kur Donald Trump vendosi tarifa për mallrat kineze dhe Pekini iu përgjigj me të njëjtën monedhë.
Ministria kineze e Tregtisë paralajmëroi se Kina “nuk do të sakrifikojë qëndrimin e saj parimor” dhe do të “mbrojë drejtësinë” gjatë takimit midis zëvendëskryeministrit He Lifeng, Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessant dhe Përfaqësuesit të Tregtisë të SHBA-së, Jamieson Greer.
Në një deklaratë, Pekini theksoi se nëse SHBA dëshiron të zgjidhë problemin përmes negociatave, ato duhet të përballen me pasojat e tarifave të njëanshme, të cilat kanë një ndikim negativ jo vetëm në SHBA, por edhe në nivel global. “Nëse Shtetet e Bashkuara flasin në një mënyrë dhe veprojnë në një tjetër, Kina nuk do të bie dakord”, theksoi Ministria e Tregtisë kineze.
Scott Bessant shprehu gatishmërinë për të zhvilluar bisedime produktive për të rivendosur ekuilibrin në sistemin ekonomik ndërkombëtar. “Pres që do të flasim për uljen e tensioneve, jo për një marrëveshje të madhe tregtare,” tha ai në një intervistë për Fox News.
Takimi i 10 dhe 11 majit do të përqendrohet në uljen e tensioneve, duke shpresuar për deskalim para se të mund të arrihet një marrëveshje për të ecur përpara me negociatat.
Ndërkohë, për të mbështetur ekonominë e saj të dëmtuar nga lufta tregtare dhe rënia e konsumit, Kina njoftoi një ulje të normave të interesit dhe të rezervave të detyrueshme të bankave. Kjo përfshin uljen e normës së interesit për kredinë për ata që blejnë pronën e parë, nga 2.85% në 2.6%.
Pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij vendosi tarifa të reja doganore për mallrat kineze, që arrijnë deri në 145%. Kina u përgjigj me tarifa të ngjashme për importet amerikane, duke shtuar shqetësimet për një recesion global dhe rritje të çmimeve.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së theksoi se këto tarifa janë të padurueshme dhe ekuivalente me një embargo. Negociatat e planifikuara për 10 dhe 11 maj do të jenë një mundësi për të filluar një angazhim zyrtar për zgjidhjen e këtij konflikti tregtar.
Top Channel