Në këtë fushatë, sistemi i patronazhimit është sofistikuar ndjeshëm.

Nuk bëhet më fjalë për një praktikë të rezervuar vetëm për socialistët; tashmë të gjitha palët politike, përfshirë partitë e reja, e kanë përvetësuar këtë metodë.

Një “ushtri” aktivistësh qëndron nëpër zyrat e partive të vjetra dhe të reja. Ata telefonojnë qytetarët, realizojnë sondazhe dhe kërkojnë votën për partinë e tyre.

Deri këtu, gjithçka mund të duket e zakonshme. Por ajo që është shqetësuese është fakti se aktivistët u drejtohen qytetarëve duke pasur të dhënat e tyre personale – përfshirë emrin, adresën dhe vendvotimin. Kjo praktikë është vërejtur jo vetëm nga ekipet e kandidatëve të partive të mëdha, që shpesh garojnë individualisht në lista të hapura, por edhe nga partitë më të vogla. Madje, kanë telefonuar edhe gazetarë.

“Zoti Armand mu drejtua sërish. Ishte ajo vajza që më kishte telefonuar tri ditë më parë. Këtë herë, për të ditur nëse do të mbështesja një tjetër kandidat, këtë radhë nga PD. Ana u gjend pak në siklet kur e pyeta si kishte siguruar numrin tim. ‘Bëjmë telefonata rastësore’, tha. Harroi që po aq ‘rastësisht’ dinte emrin tim dhe zonën ku votoja,” rrëfen një qytetar.

Në një rast konkret, në njësinë nr. 14 në Tiranë, nga zyra e një kandidati të listës së hapur të PS-së, qytetarët janë telefonuar dhe iu janë drejtuar tre pyetje. Pyetja e tretë lidhej drejtpërdrejt me kandidatin dhe përmbante ftesën për ta votuar. Nëse qytetari i përgjigjej pyetjes së dytë me “Jo, nuk do të votoj PS-në”, telefonata ndërpritej menjëherë.

Kjo taktikë është përdorur gjithashtu nga partitë opozitare, të cilat më parë e kishin kundërshtuar fort sistemin e patronazhimit. Edhe në këto raste, qytetarët telefonohen nga secili kandidat i listës së hapur. Ndërkohë, kandidatët e listave të mbyllura, të sigurt në pozicionin e tyre, nuk janë përfshirë gjerësisht në këtë formë fushate.

Një tjetër formë patronazhimi janë edhe mesazhet me tekst që u dërgohen qytetarëve, ku fillimisht kërkohet vota për partinë dhe më pas për kandidatin.

Studimet tregojnë se edhe kjo fushatë nuk i ka shpëtuar ndikimit të patronazhimit të lidhur me krimin e organizuar. Instituti i Studimeve Politike ka publikuar një Hartë të Riskut Elektoral, ku në bashki si Elbasani dhe Durrësi, rreziku i influencës së krimit arrin deri në 87%.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta