
Fushatat gjithnjë e më të kushtueshme tregojnë se paga katërvjeçare e një deputeti tejkalohet shumëfish gjatë garës elektorale.
Problemi i justifikimit të shpenzimeve marramendëse nga partitë politike apo nga kandidatët individualë ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve të monitorimit.
“Partitë politike nuk na kanë dhënë asnjëherë një model të mirë të raportimit të shpenzimeve dhe të ardhurave. As për deklarimin e donatorëve, të cilët nuk raportohen të gjithë, ose deklarohen në mënyrë fiktive. Mund të kemi biznese që japin shuma të mëdha partive politike, por që nuk figurojnë në listat e donatorëve,” u shpreh Andi Hoxhaj, menaxher i VASSI.AL.
“Shpenzimet për zyrat zgjedhore jo vetëm që nuk raportohen të gjitha, por shpesh jepen me shifra qesharake. Një zyrë në qendër të Tiranës që raportohet me 200 mijë lekë të vjetra në muaj është skandaloze,” deklaroi Dritan Taulla nga organizata KRIIK.
“Kemi një qarkullim të madh vlerash financiare në fushatë. Kemi monitoruar numrin e reklamave në media, të cilat kanë kosto jashtëzakonisht të larta, të pajustifikuara dhe të padeklaruara,” theksoi Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.
“Ironia e madhe është se sa më shumë po shpenzohet, aq më pak mekanizma verifikimi, monitorimi, parandalimi dhe deklarimi ekzistojnë,” shtoi ai.
Nuk është e vështirë të kuptohet përmasat e shpenzimeve – mjafton një vështrim në rrugët e Shqipërisë, të mbushura me fletëpalosje, banera, reklama në citylights. Në kontakt me një prej bizneseve që prodhon materiale promocionale, kuptuam se kërkesa është rritur ndjeshëm.
“Partitë politike kërkojnë më shumë fletëpalosje që bien në sy dhe lihen në vende publike, si edhe stilolapsa apo byzylykë me logo që shihen nga shumë njerëz. Partitë e mëdha si PS, PSD, PD dhe Euroatlantikët kanë shpenzuar më shumë. Nuk është vetë partia që vjen, por kandidati,” deklaroi sërish Hoxhaj.
Listat e hapura kanë nxitur më shumë promovim individual. Secili kandidat ka porositur mijëra fletëpalosje, bluza, kapele, stilolapsa dhe materiale të tjera të personalizuara, duke shtuar ndjeshëm kostot. Vlerësohet se vetëm për këto produkte janë shpenzuar qindra mijëra euro.
“Për sasi të vogla, një fletëpalosje kushton 50–60 lekë copa. Kur porosia është e madhe, bie në 9–10 lekë për copë. Ka kandidatë që kanë shpenzuar nga 50 deri në 100 mijë lekë të reja vetëm për fletëpalosje. Banerat dhe dekorimet e zyrave shkojnë deri në 2100 lekë për njësi, në varësi të sasisë,” sqaroi menaxheri i VASSI.AL.
Për një sy të paushtruar, këto shifra mund të duken të papërfillshme, por ato janë vetëm një element i shumtë në një fushatë elektorale ku çdo kandidat ka stafin dhe logjistikën e vet.
“Nuk është fushata e parë ku partia në pushtet ka tendencën të përdorë asetet publike apo financat shtetërore për të ndikuar ose blerë elektoratin,” u shpreh Arianita Brahaj, Drejtoreshë e Open Data Albania.
“Kemi bashki të mëdha ku një nga partitë kryesore ka emëruar persona me rekorde të dukshme sponsorizimesh, por edhe me të shkuar kriminale në politikë apo në stafet që kanë sponsorizuar. Situata është e pranishme sidomos në Durrës dhe Elbasan,” përfundoi Krasniqi.
Top Channel