
Një gjykatë në Kenia ka dënuar katër persona, përfshirë dy belgë 18-vjeçarë, me një vit burg ose me një gjobë prej një milion shilingash keniane (rreth 6,810 euro) për përpjekje për të kontrabanduar milingona të gjalla jashtë vendit.
Rasti tërhoqi vëmendje të madhe në vendin e Afrikës Lindore, pasi Shërbimi i Jetës së Egër të Kenias (KWS), agjencia kombëtare për mbrojtjen e faunës, i akuzoi të katër për përfshirje në “biopirateri”.
Belgët David Lornois dhe Sepp Lodewiks, vietnamezi Duh Hung Nguyen dhe keniani Dennis Nganga u deklaruan fajtorë për posedim milingonash, por mohuan akuzat për tentativë kontrabande.
Sipas aktakuzës, të dy belgët u arrestuan më 5 prill në një shtëpi pranë liqenit Naivasha, në Kenian qendrore, me 5,000 milingona mbretëreshë të llojit Messor cephalotes, një specie vendase, të vendosura në 2,244 epruveta. Dokumentet e gjykatës tregojnë se milingonat, të cilat vlerësohen të kenë një vlerë tregtare prej rreth 6,780 euro, mund të mbijetojnë për të paktën dy muaj në tuba.
Ndërkohë, Nganga dhe Nguyen u arrestuan po më 5 prill në Nairobi dhe Matsaka, secili në posedim të qindra milingonave të tjera në rreth 140 tuba. Edhe ata pranuan fajësinë.
Megjithëse rastet u trajtuan veçmas, të katër të pandehurit u gjykuan së bashku. Ligji kenian parashikon që posedimi i çdo specieje të egër pa leje është një vepër penale, e dënueshme me një gjobë minimale prej rreth 8,800 euro ose me burgim prej të paktën pesë vjetësh.
Gjykata vendosi që të dyshuarit të vuajnë një dënim prej një viti burg ose të paguajnë gjobën, e cila përkon me vlerën tregtare të milingonave sipas vlerësimeve të policisë.
Në një deklaratë zyrtare, Shërbimi KWS theksoi se veprimet e tyre jo vetëm përbënin një shkelje ndaj faunës së egër, por ishin gjithashtu një akt i biopiraterisë. “Të dyshuarit kishin për qëllim të kontrabandonin milingonat drejt tregjeve të kafshëve ekzotike në Evropë dhe Azi, ku kërkesa për insekte të rralla është në rritje”, thuhej në deklaratë.
Top Channel