Një nga barnat më të kontrolluara ligjërisht, Xanax, po shitet pa recetë në disa farmaci në kryeqytet.

Fiksi solli për të disatën herë këtë shqetësim që ndodh në vendin tonë në syrin e të gjithëve. Xanax është emri i tregut për alprazolam, një lloj droge e grupit të njohur si benzodiazepines, ose ‘benzos’, që zakonisht jepen prej mjekëve për të kuruar sindromën e ankthit.

Gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” kanë arritur ta blejnë lehtësisht këtë medikament në tre farmaci të ndryshme në Tiranë, pa recetë, kontroll apo verifikim mjekësor.

Në rastin e parë, farmacistja nuk kërkoi recetë, por vetëm pyeti klientin se çfarë doze dëshironte: 0.25 mg apo 0.5 mg. E njëjta situatë u përsërit edhe në dy farmaci të tjera. Në të tria rastet, diskutimi fokusohej vetëm te çmimi që varionte nga 50 deri në 100 lekë për tabletë dhe jo te domosdoshmëria e një recete mjekësore, siç e parashikon ligji.

Mjekja psikiatre Ariana Rreli, e kontaktuar nga gazetarët, e cilëson këtë situatë alarmante. Ajo shpjegon se marrja e Xanax-it pa përshkrim dhe pa ndjekje mjekësore është shumë e rrezikshme. “Ky ilaç krijon varësi të fortë, njësoj si drogat. Edhe kur jepet nga mjekët e përgjithshëm, duhet t’u bëhet shumë e qartë pacientëve se përdorimi i tij mund të çojë në varësi fizike dhe psikologjike,” u shpreh mjekja.

Rreli solli edhe një rast tronditës për një farmaciste që kishte krijuar varësi aq të fortë ndaj Xanax-it, sa kishte arritur të konsumonte deri në 37 tableta në ditë. “Trajtimi për heqjen nga varësia ndaj këtij medikamenti është i gjatë dhe i specializuar,” shton ajo.

Nga ana tjetër, Presidenti i Urdhrit të Farmacistit, z. Dëfrim Goma, konfirmon se shitja e Xanax-it pa recetë është shkelje e rëndë ligjore, e cila ndëshkohet me gjoba që nisin nga 100 mijë lekë. “Masat i vendos Agjencia Kombëtare e Barnave, ndërsa Urdhri i Farmacistëve, pas identifikimit të shkeljeve, i dërgon rastet në komisionin e disiplinës,” tha Goma.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta