
Për një minutë e njëzeteshtatë sekonda, kontrollorët e trafikut ajror në Filadelfia humbën kontaktet audio dhe radar me rreth dhjetë avionë, me mbi dy mijë pasagjerë në bord që në atë moment ishin nën mbikëqyrjen e tyre.
Pa përmendur avionët e tjerë që po afroheshin dhe avionët privatë. Një kohë e pafund, edhe sepse nuk kishte asgjë tjetër për të bërë veçse të prisnin rikthimin sinjalit të sistemeve. Kur gjithçka u rikthye në funksion në sallën e qendrës së kontrollit, më në fund të merrnin frymë të lehtësuar: Avionët ishin ende në fluturim.
Blackout-i
Këto janë disa nga detajet më të pabesueshme të problemit informatik që ndodhi më 28 prill në Tracon, kontrolli terminal i Filadelfias, qendra që menaxhon një pjesë të rëndësishme të trafikut ajror, që solli pezullimin për disa orë të lëvizjeve në një nga aeroportet kryesore të Nju Jorkut.
Anulimet
Pasojat ndihen ende sot. United Airlines, operatori kryesor po anulon mesatarisht 35 fluturime në ditë, një në dhjetë nga ato të planifikuara, deri sa situata të rikthehet në normalitet. Dhe mund të duhet ende kohë, pasi siç ka sqaruar Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka mungesë stafi në qendrën e radarit: disa nga kontrollorët e përfshirë kanë marrë pushim për t’u rikuperuar nga stresi i shkaktuar nga disa blackout-e të fundit.
Brenda “Tracon”-it
Gjithçka nis pak pas orës 13:30 më 28 prill. Në atë moment, kontrollorët e sektorit të “Tracon” në Filadelfia që po menaxhonin fluturimet drejt Newark-ut, shohin monitorët e tyre që fiken papritmas. Mundohen të lidhen me pilotët përmes radios, por konstatuan se nuk funksionon as sistemi i komunikimit.
Britma dhe sharje
Në atë moment sipas rrëfimit në biseda me kolegët nga ata që ishin në sallë dëgjohen britma dhe sharje, nis një garë për të njoftuar sektorët e tjerë të qendrës radar për të ngadalësuar trafikun, devijuar avionët që po vinin dhe për të shmangur ndonjë katastrofë në qiell. Kontrollorët nuk mund të bënin gjë tjetër përveçse të prisnin që sinjali i sistemeve të rikthehej. Ndërprerja zgjati 87 sekonda.
“Nuk e dimë ku ndodheni”
Rreth orës 13:45 mbetet ende ndonjë problem. “Nuk funksionon radari, nuk e dimë ku ndodheni”, i thotë një kontrollor pilotëve të fluturimit United nga Charleston për në Newark, duke u kërkuar të shikojnë përreth vetes. Nga frika e ndonjë defekti tjetër dhe për të shmangur incidente, në orën 13:53 FAA vendos një «ndalim tokësor» për Newark: Ndalohen në aeroportet e nisjes të gjithë avionët që ishin nisur drejt këtij aeroporti. Ky ndalim zgjat deri në orën pesë të pasdites. Ndërkohë, ishte e nevojshme të zëvendësohen 5 kontrollorë që ndaluan së punuari për shkak të “traumës” së pësuar nga ngjarja.
Mungesa e sistemeve të dublimit
“E vetmja anë pozitive e kësaj ngjarjeje, nëse mund ta quajmë kështu, ishte fakti që ndodhi në një orar ku volumi i trafikut nuk ishte maksimal dhe distanca midis avionëve është zakonisht më e madhe”, tha një burim. Struktura informatike e disa qendrave radar në SHBA është kaq e vjetër sa që nuk ekziston “sistem dublues”: Nëse ndodh një blackout, nuk ka ndonjë sistem paralel që merr përsipër funksionin, ndaj duhet pritur derisa gjithçka të rikthehet.
Konfirmimi
“Kolegët e qendrës në Filadelfia humbën përkohësisht radarët dhe komunikimet me avionët që kishin nën kontroll, duke mos qenë në gjendje t’i shihnin, t’i dëgjonin apo të flisnin me ta”, konfirmoi në një deklaratë Shoqata Kombëtare e Kontrollorëve të Trafikut Ajror. Dhe lë të kuptohet se kjo nuk ishte ndërprerja e parë. Disa ekspertë theksojnë se këto janë probleme shumë të veçanta dhe të rrezikshme.
Ndikimi në Newark
Që atëherë janë anuluar mbi 400 fluturime dhe mbi 1.500 kanë pasur vonesa vetëm në Newark, sipas platformës FlightAware. Ndërsa CEO i United, Scott Kirby, në një mesazh për klientët shkroi se “për shumë vite kemi qenë të qartë dhe kemi përsëritur nevojën për përmirësimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror në Newark”. Sistem që, sipas tij në ditët e fundit ka pasur probleme në më shumë se një rast.
Qasja e FAA
FAA ka shpjeguar se po “punon për të siguruar që pajisjet aktuale të telekomunikacionit të jenë më të besueshme në zonën e Nju Jorkut”. Dhe kujtoi se kur ndodhin probleme me personelin apo pajisjet, agjencia federale e aviacionit do të garantojë sigurinë duke ngadalësuar ritmin e mbërritjeve në aeroport.
Mungesa e kontrollorëve
FAA nuk e përmendi mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror. Në të gjithë vendin mungojnë rreth 3 mijë nga niveli i konsideruar optimal dhe për të formuar të rinj duhen vite. Jo vetëm kaq, në dekadat e fundit, agjencia federale e aviacionit është përballur me vështirësi të lidhura me plakjen e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror, thuhet në një raport të dhjetorit të kaluar nga Zyra e Përgjegjësisë Qeveritare.
Top Channel